2007-07-07 16:48:55

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(08.07.2007 RV)Sot, e diela XIV e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Kisha katolike kremtoi Shenjtorët Eugjeni III papë dhe Aquila e Prishila, nxënës të Shën Palit.
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Agostin Zhao Rong, meshtar dhe shokëve të tij, martirë kinezë; e Shën Adrianit III papë; e Shën Veronika Gjulianit, abateshë, klarise kapuçine. Na nxisin të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si na mëson Mateu, kur përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë e ngjall një të vdekur.
Liturgjia e së martes na kujton se Jezusi, kudo shkon, shëron sëmundjet e gjymtimet; turmat rendin pas tij nga të katër anët, ashtu si delet e lodhura e të këputura, në kërkim të një bariu që të kujdeset për to. Është festa e Shenjtoreve Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitorja, martire.
Në përkujtimin e Shën Benediktit Abat, pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekimi - e të Shën Piu I papë, që do të kremtohen të mërkurën, nuk mund të mos reflektojmë mbi simbolikën e hardhisë e të shermendëve, që na kujton se pa Jezusin, nuk mund të arrijmë kurrfarë suksesi. E kjo, sepse shermendi nuk mund të japë fryte i shkëputur nga hardhia. Kështu edhe nxënësi, i shkëputur nga Krishti. Kujtojmë se në Shqipëri Shën Benediktin e kremtojnë Motrat Benediktine të Provanisë Hyjnore.
Bashkësia apostolike e kupton mirëfilli se Jezusi i ka besuar misionin vet për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit, që përkon me shëlbimin e njerëzimit. Këtë na kujtojnë Shën Gjon Gualberti, abat, themlues i Valombrozanëve dhe Shenjtorët Nabori e Feliçi, martirë milanezë, të cilët do të përkujtohen të enjten. Shën Gjonin në Shqipëri e kremtojnë sidomos motrat servite.
Të premten e ardhshme është festa e Shën Enrikut II perandor; e Shën Esdrës, skribë dhe e Shën Silës, nxënës i Shën Palit. Na kujtojnë se misioni i nxënësit nuk është aspak i lehtë. Ai duhet ta konsiderojë veten pikërisht si delja në mes të ujqërve, sepse deri familjarët më të ngushtë mund të shndërrohen papritmas në armiq për vdekje. Do t’i duhet kështu të ndeshet vazhdimisht me urrejtjen, që s’dihet nga ç’anë vjen. Por nxënësi është i vetëdijshëm se forca e tij është Shpirti i Atit qiellor. Të shtunën do të përkujtohet Shën Kamili de Lelis, meshtar, themelues i Shërbëtorëve të të sëmurëve, që kremtohet në mbarë botën, e edhe në Shqipëri, nga Motrat mbarështuese të të sëmurëve, siç quhen sot rregulltaret kamiliane në shërbim të spitaleve. Na kujton se nxënësi duhet t’i ngjajë mësuesit, që diti të përballojë edhe vdekjen. Ajo që ka rëndësi është që Jezusi ta njohë si nxënës të vërtetë para Atit të Tij që është në qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.