Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit “C”! Madhështia matet me
zemër.
(07.07.'07. RV)Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë
e meditojmë leximet biblike të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë,
sipas kalendarit të liturgjisë. Tema kryesore që përshkon leximet biblike të liturgjisë
hyjnore të kësaj së diele, është ‘misioni’. Që të gjithë jemi lajmëtarë të shpëtimit
të dërguar për të sjell lajmin e mirë. Eukaristia që kremtojmë e përforcon në ne këtë
bindje. Pra nga liturgjia e kësaj së diele të gjithë jemi të ftuar të kthehemi
idealisht tek Pagëzimi ynë për të ri-zbuluar thirrjen e për ta ndier veten në botë
kumtuesë të butë e dëshmitarë të fortë të Ungjillit që shpëton. Në botën e sotme është
shumë vështirë të jesh një krishterë koherent, të jetosh në përkim me Ungjillin në
mjedise të ndryshme shoqërore ku shpesh has në moskuptime e refuzime të një porosie
shpirtërore e ungjillore. Mirëpo edhe përkundra vështirësive, pengesave Krishti thërret
e na dërgon të bartim e kumtojmë lajmin e shpresës për të gjithë, në çdo rrethanë
e mjedis të botës, përmes predikimit të kryqit. Në të vërtetë, mbretëria e Hyjit
dëftohet e realizohet në personin e në veprën e Jezu Krishtit, sidomos në mundimet-vdekjen-ngjalljen
e Tij. Me ngjarjen e pashkëve realizohet pajtimi ndërmjet Hyjit e njerëzimit. Kumtimin
e shpëtimit për të gjithë popujt, Jezusi ia beson veprimtarisë misionare të dishepujve
të vet. Të jesh dishepul i Jezusit domethënë të vihesh në shërbim të Mbretërisë së
Hyjit, mbretëri dashurie, vëllazërimi, mbretëri paqeje e jete. Po, misioni nuk është
cak as qëllim, por vetëm vegël, instrument në mënyrë që paqja e bekimi i Hyjit të
depertojë e të mbërrijë në çdo zemër, në çdo familje, shtëpi e begatshmëria të rrjedhë
porsi lumë, e djalli të mposhtet përgjithmonë. Misioni që Krishti u ka besuar dishepujve
dhe neve është dëshmim i zbulimit të dashurisë së Hyjit mishëruar e plotësuar pikërisht
në Të (Jezu Krishtin), është edhe mision bamirësie ndaj të tjerëve, është mision i
pranimit të paqes e mision i fesë që e liron njerëzimin nga skllavëria e djallit,
e mëkatit dhe vdekjes, është mision i jetës së pavdekshme në Krishtin Shëlbues. E
tani ti dëgjojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele
të 14-të “C” nga Libri i Izaisë profet, Is 66,10-14; Psalmi 66; Letra e shën Palit
Galatasve, Gal 6,14-18; Ungjilli i Lukës, Lk 10,1-12.17-20.Ndërsa komentin apo
homelinë do ta dëgjojmë nga mons Damjan Kurti, famullitar i Durrësit...... ..