2007-07-07 16:48:21

Koment i atë Federiko Lombardit për Motu Proprion e Benediktit XVI.


07.07.2007 RV)“Mënyra më e mirë për ta kuptuar domethënien e Dokumentit të ri, natyrisht është leximi me vëmendje i Letrës së Papës që e shoqëron. Benedikti XVI nuk mendon të bëjë kurrfarë revolucioni në përdorimin e sotëm liturgjik, të rishikuar nga Koncili, i cili do të vijojë të ndiqet nga shumica e besimtarëve; nuk imponon asnjë kthim prapa; nuk dëshiron në asnjë mënyrë ta zbehë autoritetin e Koncilit e as autoritetin dhe përgjegjësinë e Ipeshkvijve. Papa dëshiron vetëm t’u ofrojë atyre që kanë dëshirë të arsyeshme e të thellë për ta kremtuar liturgjinë sipas formës së ritit romak, që përdorej më parë, mundësinë ta bëjnë këtë qetësisht, duke e ndjerë veten të mirëpritur e të radhitur në bashkësinë katolike. Në se Papa e mori këtë vendim – pasi reflektoi, u këshillua e u lut për një kohë të gjatë, siç e thotë edhe ai vetë – në favor të një numri relativisht të vogël personash, sigurisht ka arsye të denja, që duhen mirëkuptuar. Benedikti XVI ka një vizion teologjik e shpirtëror shumë të thellë për liturgjinë, e prej këndej, edhe një respekt tepër të madh për atë që kremtohet e që është vdekja e ngjallja e Jezusit. Liturgjia është diçka që na dhurohet, nuk është prodhimi ynë, është burim i jetës sonë. Eukaristia është vendi më i lartë i takimit të njeriut me Hyjin. Prej këndej Papa e shikon si detyrë t’i ndihmojë të gjithë besimtarët ta jetojnë këtë takim në mënyrë sa më të denjë e sa më të vetëdijshme, si kur realizohet me formën e ritit romak të rishikuar, ashtu edhe kur - për shkaqe formimi, kulture ose pervoje personale – për disa kjo mund të realizohet më lehtësisht me formën më të vjetër të ritit. Sidoqoftë, Papa uron që bashkëjetesa e dy formave të ritit, të mos shkaktojë kundërvënie e përjashtime, por t’i bëjë të dyja palët të pasurohen reciprokisht, nga njëra anë me thellimin e shenjtërisë së kremtimit e, nga ana tjetër, me elementë më të larmishëm e më shprehës. Edhe për ata që nuk parashikojnë ndryshime në mënyrën e përdorimit të liturgjisë në krahasim me aktualen, ka një mesazh të rëndësishëm: liturgjia duhet kremtuar me kujdes e respekt pikërisht sepse përmes saj komunikohet me misterin e Hyjit. Në se mungon ky respekt, nuk vuan vetëm një njeri, por mbarë Kisha, sepse shpërdorimet janë gjithnjë fara e përçarjes. Ndokush mund të mendojë se bashkëjetesa e dy formave të ritit mund të shkaktojë përçarjeje. Papa – me duresë të admirueshme, por edhe me besim të plotë – thotë se sipas mendimit të tij, kjo frikë është e pathemeltë. Madje lë të kuptohet qartë se qëllimi i tij është krejtësisht i kundërt, dmth se ka për qëllim të bëjë të gjitha përpjekjet që kush e do vërtetë bashkimin, të mbetet i bashkuar ose ta rigjejë plotësisht këtë bashkim. Benedikti XVI e ndjen thellë përgjegjësinë e tij lidhur me unitetin e, natyrisht, mendon si për ata që janë të ndarë nga bashkësia kishtare, ashtu edhe për ata që ndjehen të tensionuar brenda saj, prandaj i fton të gjithë t’ia hapin reciprokisht zemrën njëri –tjetrit me frymën e së njëjtës fe që i bashkon. Kujton se, ashtu si nuk mund të konsiderohen të ndaluar ose të dëmshëm librat liturgjikë më të lashtë, kështu askush nuk ka të drejtë t’i gjykojë negativisht librat e rishikuar. Prandaj kushdo që do të merrte shkas nga Moto Proprio për të ndezur tensione, në vend që të ushqejë shpirtin e pajtimit, do ta tradhtonte rrënjësisht këtë shpirt. Benedikti XVI shpjegon se kush e lexon si duhet Koncilin II të Vatikanit duhet të ngulë këmbë në vazhdimësi e jo në shkëputje. Edhe bashkëjetesa e dy formave të të njëjtit rit liturgjik, duhet interpretuar në këtë vijë. I riu lidhet gjallërisht me të mëparshmin, pa e përjashtuar. Papa pohon se frika që dokumenti mund të cenojë autoritetin e Koncilit, është e pathemeltë. Edhe në nxitjen passinodale të kohëve të fundit “Sacramentum caritatis’ kujton ndikimin pozitiv që ka pasur për jetën e Kishës reforma liturgjike, e vënë në jetë duke filluar nga Koncili II i Vatikanit. Veç kësaj, e shikojmë duke kremtuar vazhdimisht solemnisht sipas ritit të rishikuar. E kemi parë duke mirëpritur dhe e kemi dëgjuar duke i shpjeguar ai vetë – e mund të themi të mrekulluar – risimet e urta dhe shprehëse të riteve të mëdha të përurimit të Papnisë së tij. Nuk kemi, prandaj, asnjë arsye për t’u trembur. Benedikti XVI nuk do të na bëjë të kthehemi mbrapa, por do të na prijë përpara, me radhë të shtrënguara, për të vijuar në mënyrë të pashkëputur, rrugën historike të Kishës. Është një ecje përpara që synon sidomos të na ndihmojë të hyjmë në thellësi të takimit me Hyjin, si individë e si bashkësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.