Më 6 korrik Kisha festonShën Marinë Goreti, virgjër e martire.
(06.07.2007 RV)Maria Tereza Goreti,
ose Marieta, siç e thërrisnin të afërmit, nuk është e vetmja vajzë që parapëlqeu më
mirë të vdiste, sesa të pranonte joshjet e një njeriu që deshi t’ia turbullonte
jetën. Pothuajse çdo ditë kronika flet për ushtrimin e dhunës mbi vajza të reja, të
pambrojtura. E kush mund ta kuptojë më mirë këtë shprehje, se vajzat shqiptare të
kohëve tona, të detyruara shpesh për të shkuar edhe në shkollë në shoqërinë e prindërve,
sepsè nuk kanë mbrojtje tjetër kundra rrezikut të dhunës e të rrëmbimit? Po prindërit
e Marietës nuk mundën ta mbronin.... Shkaku për të cilin Kisha e paraqet si shembull
këtë shenjte 12 vjeçare, nuk është vetëm sepsè u shqua për pastërti morale, por pse
gjithë jeta e saj ishte shembullore, pse zgjodhi vdekjen jo vetëm për të mbrojtur
nderin, por kryesisht për t’iu bindur urdhërit hyjnor: “Jo, jo, Zoti nuk do; është
mëkat!” - i bërtiti djaloshit Aleksandër Sereneli, kur ai deshi të përdorte dhunën. Familja
Goreti, me origjinë nga Korinaldo, në provincën e Ankonës, e shtyrë nga nevoja, pati
emigruar në Agro Pontino, dhjetë kilometra larg Netunos, aty nga fundi i shekullit
të kaluar. Njerëzit e saj, të mësuar me punë të rëndë ndër ara, u strehuan në një
shtëpi të vjetër. E ndërsa nëna e babai punonin tokën, Maria kujdesej për katër vëllezërit,
më të vegjël se ajo. Ishte vetëm dhjetë vjeçe, kur i vdiq i jati, i sëmurë nga malarja.
Kështu s’ëmës, Asuntës, iu desh të punonte gjithë ditën për të siguruar jetesën. E
Maria, që nuk kishte mundur të vijonte rregullisht shkollën, tani hoqi dorë nga gjithçka,
për t’iu kushtuar plotësisht shtëpisë e vëllezëve. Kur kishte sadopak kohë të lirë,
vraponte te Kisha e largët për të ndjekur katekizmin. E kështu mundi të merrte kungimin
e parë. Ishte tepër e zhvilluar për moshën, prandaj tërhoqi vëmendjen e djaloshit
të shqetë Aleksandër Serenelli. Ajo i kundërshtoi vazhdimisht. Por Aleksandri nuk
hoqi dorë. Një ditë, kur nëna u nis për në arë, duke e lënë Marietën vetëm me motrën
e vogël (e cila më vonë do të bëhej murgeshë ndër Françeskanet Misionare të Zojës
së Papërlyer), pas refuzimit të zakonshëm të vajzës, e theri disa herë me thikë.
E mbartur në spitalin e Nettunos, vdiq një ditë më pas, duke e falur vrasësin me fjalët:
“Për dashuri të Krishtit e fal dhe dëshiroj të vijë me mua në Parajsë!”. Ishte data
6 korrik e vitit 1902. I dënuar me burgim të përjetshëm, Aleksandër Sereneli u lirua
pas 27 vjetësh për sjellje të mirë. Më 1910 tha se kishte parë në vegim Martiren e
vogël e që atë ças jeta e tij ndryshoi. Më 1950 e ëma e Marietës dhe të vëllezërit
ishin të pranishëm në shenjtërimin e vashës që nuk pranoi të përlyhej me mëkat.