2007-07-05 20:17:07

Papa ipeshkvijve të Republikës dominikane të mbrojnë familjen e t’i luftojnë të këqijave e shekullarizimit.


(05.07.2007 RV)RealAudioMP3 Përballë sfidave të botës së globalizuar, Benedikti XVI i porositi sot paradite ipeshkvijtë e Republikës dominikane, në vizitë ‘ad Limina Apostolorum’, ta kumtojnë ungjillin në mënyrë të qartë e të saktë në mjediset e ndryshme të shoqërisë, duke vlerësuar rolin e familjes, të meshtarëve e të laikëve.
Ati i Shenjtë bëri të vetat shqetësimet e prelatëve dominikanë që, ndonëse e kryejnë misionin në gjirin e një Kishe plot gjallëri, dinamizën e pjesëmarrje, i ndjejnë simptomat e procesit të shekullarizimit, në të cilin për shumkend Hyji nuk e përfaqëson më zanafillën e cakun e fundit të jetës. Gjithsesi - theksoi Papa - përballë këtyre ndryshimeve të thella, populli dominikan vijon të ketë shpirt thellësisht të krishterë e, prej këndej duhet të rinisen prelatët, për të arritur qëllimin më të rëndësishëm: t’ua kumtojnë të gjitha krijesave të vërtetën mbi Krishtin e mbi njeriun, duke mbështetur në radhë të parë familjet, ‘Kisha shtëpjake’, që të mos mbeten vetëm përballë sfidave të mëdha të kohës. Ati i Shenjtë nënvizoi me forcë detyrën e Kishës për të ndihmuar e për të gjallëruar veprimtarinë e bashkësisë kishtare në mbrojtje të jetës, sipas projektit të krishterë, duke i pasur mirë parasysh sulmet e rreziqet që e kërcënojnë. Kujtoi posaçërisht dramën e divorcit, presionet për të ligjëruar abortin si dhe përhapjen e bashkimeve, që i kundërvihen planit të Krijuesit mbi martesën.
Familja ka të drejtë të mbështetet fuqimisht nga shteti, për të realizuar plotësisht misionin e saj – tha Papa, duke kërkuar bashkëpunimin e institucioneve publike për të mbrojtur qëndrueshmërinë e familjes e për të favorizuar përparimin e saj shpirtëror dhe material, që të ketë kështu mundësi t’i edukojë sa më mirë fëmijët.
Ati i Shenjtë nënvizoi edhe rolin e rëndësishëm të laikëve, të cilët e kanë për detyrë të promovojnë vlerat njerëzore e kristiane, për të ndriçuar realitetet politike, ekonomike e kulturore të vendit, me qëllim që të vendoset një rend shoqëror më i drejtë e më i paanshëm, sipas Doktrinës shoqërore të Kishës. Në përkim me normat etike e morale – këshilloi Papa – laikët duhet të japin shembull të mirë ndershmërie e transparence në drejtimin e veprimtarive të tyre publike, përballë plagës së përhapur të korrupsionit, që ka prekur edhe pushtetin politik e ekonomik si edhe fushat e tjera shoqërore të vendit karaibik. Laikët duhet të ruhen fort nga të jetuarit e dy jetëve paralele: njëra, shpirtërore, me vlerat e kërkesat e saj; tjera, e ashtuajtura shekullare, dmth jeta në familje, në punë, në marrëdhëniet shoqërore, me kompromise politike e kulturore. Përkundrazi – kujtoi Ati i Shenjtë – laikët duhet të përpiqen që jeta e tyre e feja e tyre, në përkim të plotë, të jenë dëshmi e qartë e së vërtetës të mesazhit të krishterë. Kontributi i laikëve duhet të jetë më i ndjeshëm në mjetet e komunikimit shoqëror, për të ungjillëzuar kulturën që përshkon gjithë jetën e kombit.Një porosi tjetër për ipeshkvijtë dominikanë ishte t’u qëndrojnë pranë meshtarëve të tyre në të gjitha nevojat personale e baritore e të kujdesen për thirrjet e reja meshtarake, përmes një formimi të përgjithshëm, duke i vlerësuar me vëmendje të madhe seminaristët, për të vendosur pastaj në se janë të aftë nga ana njerëzore e kristiane, për një mision kaq të lartë.







All the contents on this site are copyrighted ©.