2007-07-04 18:23:08

Selia e Shenjtë i kërkon OKB-së siguri për refugjatët që lypin strehim, posaçërisht në Lindje të Mesme.


(04.07.2007 RV)RealAudioMP3 Imzot Silvano Tomazi në Komitetin ekzekutiv të UNHCR: të rritet niveli i sigurisë për refugjatët që kërkojnë strehim, posaçërisht në Lindjen e Mesme. Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) t’i propozojë Kombeve të Bashkuara një koordinim më të mirë të politikave që kanë të bëjnë me flukset e emigrantëve, për të kufizuar dramën e mijëra njerëzve që vdesin në përpjekjen për të gjetur një jetë më të mirë, larg tragjedive të vendeve të tyre, e posaçërisht me refugjatët e Lindjes së Mesme. Nxitja është e kryeipeshkvit Silvano Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, i cili këto ditë foli gjatë takimit të Komitetit Ekzekutiv të UNHCR-së.
Në dramën botërore të lëvizjes së përditshme të emigrantëve drejt vendeve ku mendohet se mund të ndërtojnë një jetë më të mirë, të pamundur në vendet e tyre, duhet theksuar një aspekt i vijueshëm tragjik, që shpesh kalon në plan të dytë: ai i vdekjes së shumë njerëzve, në përpjekjen për të arritur në cakun e dëshiruar. Çështjet juridike dhe rregullimi i flukseve të atyre që kërkojnë strehim, vijojnë të dalin në plan të parë, duke zbehur problemin e mprehtë të njerëzve që nuk arrjnë ta kapërcejnë shkretërirën ose detin, kapërcim që për ta do të thotë shpëtim. Mbi këtë problem të posaçëm e mbi rrugëzgjidhet e tij të mundshme nga ana e Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët u përqëndrua edhe fjalimi i mbajtur nga përfaqësuesi e Selisë së Shenjtë, Imzot Tomazi i cili, duke shfrytëzuar statistikat e UNHCR-së, nënvizoi se sot në botë numrohen 32 milionë refugjatë, por fenomeni është në rritje e, prej disa vitesh, shoqërohet edhe me një fenomen tjetër, me aksidente tronditëse vdekjeprurëse të mijëra njerëzve të dëshpëruar, që ikin nga tmerret e vendit të tyre, drejt portit të sigurtë. Një fenomen i tillë – shpjegoi imzot Tomazi - nuk është thjeshtë zonal. E ndeshim në Mesdhe, për njerëz që provojnë të kalojnë nga Afrika në Evropë; në Atlantik, për ata që kapërcejnë Afrikën perëndimore drejt ishujve Kanarie. Po ka edhe njerëz që humbasin jetën për të kaluar nga Evropa në Evropë; nga Afrika lindore në gadishullin arabik; nga ishujt karaibike në Kontinentin amerikan; nga Meskika, përmes shkretëtirës, drejt SHBA; nga Azia, në zona të tjera të Azisë. Një turmë e pafundme njerëzish të pafat gjejnë vdekjen, duke kërkuar jetën!Prandaj përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë kërkoi mbrojtje ligjore për këta njerëz të cilëve, kur nuk vdesin në ikje e sipër, u duhet të luftojnë kundër llojeve të tjera të vdekjes fizike ose psikologjike. Prandaj – e ky ishte thelbi i propozimit – Kombet e Bashkuara duhet t’i studiojnë sistematikisht të gjitha mundësitë për t’u siguruar këtyre njerëzve mbrojtje jo vetëm kur ikin, por sidomos kur nuk ikin, kur vendosin të qëndrojnë në vend të vet, duke u mbrojtur të drejtat e njeriut, duke u krijuar vende pune e duke u siguruar një mjedis sa më paqësor.







All the contents on this site are copyrighted ©.