2007-07-03 18:17:18

Më 3 korrik Kisha përkujton Shën Tomën Apostull.


(03.07.2007 RV)RealAudioMP3 Toma, i cili mendohet se ishte peshkatar, si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që do të thotë ‘binjak’. Është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jeruzalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”.
Figurë shumë e dashur për Papën Benedikti XVI, Shën Toma është kujtuar dy herë nga Ati i Shenjtë gjatë vitit në vijim: në kremtimin e Pashkëve e në atë të 80-vjetorit të ditëlindjes, të dyja herët lidhur ngushtë me jetën aktuale të të krishterit të sotëm.
Ja si na e përshkruan Ati i Shenjtë Shën Tomën në homelinë e mbajtur me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes ( 16. 04.2007):
“Në fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës me Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të.
Mëshira e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. Jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar, si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë, ndonëse është aq e ngushtë sa të zerë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë është Zoti me ne, si mendon për ne pikërisht në gjërat tona të vogla, për të na ndihmuar kështu të arrijmë tek të mëdhatë.
Ndërsa në homelinë e Meshës kremtuar për Pashkët 2007, Papa theksoi:
Pas fjalëve të Krishtit të ngjallur, feja gati e shuar në shpirtrat e Apostujve, u ndez përsëri. Ata ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtzakonshëm. Edhe njerëzimi i sotëm – vërejti Papa - pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë.
“Në se përmes këtij Apostulli mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues”.
Secili nga ne – vijoi Papa, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë?
“E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë – pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur”.
Toma – vijoi të shpjegonte Papa - mori nga Zoti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur – reflektoi Ati i Shenjtë - rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare – pohoi Papa e në vijim theksoi: - Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!







All the contents on this site are copyrighted ©.