Më 2 korrik Kisha katolike përkujton Shën Bernardin Realinin, rregulltar jezuit
(02.07.2007 RV)Qyteti i Leçes,
në Itali, ka një veçori dalluese: Pajtorin e vet e zgjodhi jo vetëm para se të shpallej
zyrtarisht shenjt nga Kisha, por madje edhe para se të vdiste, më 2 korrik të vitit
1616. E kemi fjalën për Shën Bernardin Realinin, rregulltar jezuit. Kur po jepte shpirt,
këshilli bashkijak i Leçes, i mbledhur me ngut, i shkoi tek shtrati i vdekjes e iu
lut të bëhej Pajtor i qytetit. Banorët e Leçes e bënë këtë, sepse druheshin se pas
vdekjes, njeriu i jashtzakonshëm, që kishte banuar në qytetin e tyre, duke lënë gjurmë
të ndritura shenjtërie e duke tërhequr me shembullin e tij mijëra nxënës, mund të
shpallej pajtor i Karpit, ku kishte lindur më 1 dhjetor të vitit 1530 në një nga
familjet më të njohura fisnike të vendit. Këtu kishte filluar të merrte edhe mësimet
e para, nga mësuesët më të njohur të kohës, të ftuar në shtëpinë e tij. Më pas Bernardini
ndoqi akademinë modeneze, qëndër kulturore nga më të shquarat në Itali. Pasi studioi
filozofi e mjekësi, 26 vjeç u diplomua në drejtësi civile e kanonike. Hyri kështu
në rrugën e shërbimit publik, ku nisi menjëherë të bëjë karrierë. Por kjo rrugë, në
të cilën po ecte me çapin e sigurtë të njeriut me përgatitje kulturore të gjithanëshme,
u ndëpre papritmas. Duke hequr dorë nga kënaqësitë e botës, nga rruga e suksesit,
nga majat e nderimeve që i ofronin aftësitë e tij si jurist i shquar, Bernardini
hyri në shoqërinë e jezuitëve, ku më 1567 u shugurua meshtar e u bë menjëherë mësues
i novicëve jezuitë. Shtatë vjet më vonë krijoi në Leçe një kolegj, të cilit iu kushtua
deri në vdekje, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë e qytetit jugor italian. Prandaj
Bernardini, i shpallur shenjt nga Papa Piu XII në vitin 1947, ndonëse nuk është leçez,
e as puliez, mbeti Pajtor i Leçes.