2007-07-02 18:10:48

Kush dëshmon të vërtetën, duke ecur në gjurmët e Krishtit, nuk do të jetë kurrë skllav i asnjë lloj pushteti: kështu tha Papa në Engjëllin e Tënzot.


(02.07.2007 RV)RealAudioMP3 “Kush i përket së vërtetës, do të jetë gjithnjë i lirë dhe i aftë për t’u vënë në shërbim të vëllezërve”: këtë pohoi me forcë Benedikti XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit. Jezusi – nënvizoi Benedikti XVI – na tregon se kur i nënshtrohemi vullnetit të Atit, liria jonë fiton kuptimin e vet të vërtetë, që buron nga dashuria.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë bëri thirrje për paqe në Kolumbi, pas vrasjes barbare të 11 deputetëve vendas.

E vërteta, që buron nga dashuria për Krishtin, na bën të lirë e të aftë për ta dashur të afërmin. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI preku temën e lirisë e të ndjekjes së Krishtit. Shën Luka Ungjilltar – kujtoi Papa – rrëfen se Jezusi u nis vendosmërisht drejt Jeruzalemit, duke e ditur fort mirë se atje e priste vdekja në kryq. E pikërisht në këtë nënshtrim ndaj vullnetit të Atit – shpjegoi Papa - Jezusi realizoi lirinë e vet, sepse këtë rrugë, të motivuar nga dashuria, e kishte zgjedhur me vetëdije.
Jezusi, pra, e jetoi lirinë e vet jo si veprim arbitrar, as si sundim, por si shërbim:
“Në këtë mënyrë e mbushi plot kuptim lirinë, që përndryshej do të mbetej një mundësi e zbrazët për të bërë ose për të mos bërë diçka. Ashtu si vetë jeta e njeriut, liria e merr kuptimin e vet nga dashuria. Kush është, në të vërtetë, më i lirë? Ai, që i ruan të gjitha mundësitë, nga frika mos i humbasë, apo ai që e shkrin vendosmërisht vetveten duke shërbyer e kështu mbushet plot me jetë për shkak të dashurisë që dhuroi e që iu dhurua”.
Por liria nuk duhet të bëhet pretekst për të jetuar sipas mishit e gjakut, sepse kjo do të thotë të ndjekësh prirjen egoiste të natyrës njerëzore. Papa i nxit besimtarët të jetojnë sipas shpirtit, duke e kryer çdo ndjet e çdo vepër të frymëzuar nga dashuria e Hyjit, që na e dhuroi Krishti:
“Liria e krishterë ndryshon krejtësisht nga sundimi; është ndjekje e Krishtit në dhurimin e vetvetes, deri në flijimin e Kryqit. Mund të duket paradoks, por kulmin e lirisë së tij Zoti e jetoi mbi kryq, si maja e dashurisë”.
Kur, mbi Kalvar i bërtisnin: ‘Në se je Biri i Zotit, zbrit nga kryqi!” – nënvizoi Papa- Jezusi e dëshmoi lirinë e tij prej Biri pikërisht duke ndenjur i gozhduar mbi drurin e dënimit, për të bërë deri në fund të fundit vullnetin përdëllyes të Atit. E këtë përvojë – tha Papa - e provuan edhe shumë dëshmitarë të tjerë të së vërtetës:
“Burra e gra, që dëshmuan se njeriu mund të jetë i lirë edhe në një qeli burgu, nën kërcënimin e torturës. E vërteta do t’ju bëjë të lirë. Kush i përket së vërtetës, nuk do të jetë në asnjë rrethanë skllav i pushtetit, por do të dijë gjithnjë të bëhet lirisht shërbëtor i vëllezërve”.
Kështu u shpreh Papa e më pas iu lut Zojës së Bekuar që, me kujdesin e saj amtar, të na ndihmojë ta ndjekim gjithnjë besnikërisht Krishtin, për të njohur të vertetën e për ta jetuar lirinë në dashuri.Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI bëri thirrje për paqen në Kolumbi, menjëherë pas lajmit të vrasjes barbare të 11 deputetëve rajonalë, përfaqësues të Departimentit të Luginës Kauka, të cilët prej 5 vjetësh ishin në duart e FARC (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë):
“Bashkohem me dhimbjen e familjarëve dhe të Kombit të dashur kolumbian, që u rivesh në zi nga urrejtja vëllavrasëse. Përsëris thirrjen time që të marrë fund një herë e mirë çdo rrëmbim e t’u kthehen të dashurve ata që janë viktima të formave të tilla të papranueshme të dhunës”.
Duke përshëndetur grupet e shumta të pranishme, Papa u ndal në mënyrë të posaçme tek Grupi përfaqësuees i Skautëve, që solli në Romë ‘Flakën e shpirtit’, në kuadrin e takimit botëror, që do të mbahet në gusht në Mbretërinë e Bashkuar, me rastin e njëqindvjetorit të skautizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.