2007-06-30 15:36:44

Vizita e Eprorit të përgjithshëm të jezuitëve në Vietnam.


(01.07.2007 RV)Eprori i përgjithshëm i jezuitëve, atë Peter Hans Kolvenbah do të vizitojë Vietnamin nga data 6 deri më 15 korrik. Do të ketë me vete dekretin për shndërrimin e Rajonit të pavarur, në Provincë të asistencës të zonës Azi Lindore – Oqeani. Provinca e re numron 134 anëtarë: 38 meshtarë, 45 studentë të filozofisë, 20 vëllezër, 31 novicë e 150 rishtarë. Jezuitët janë të pranishëm në Vietnam që në fillim të shekullit XVII, kur nisën veprimtarinë e tyre ungjillëzuese në këto troje, për të vijuar deri në vitin 1773, vit i ndalimit të përkohshëm të Urdhërit. U rikthyen në Vietnam më 1953, kur ish-nxënësit e një universiteti jezuit kinez propozuan që disa nga misionarët e dëbuar nga Kina maoiste të shkonin në Vietnam, ku bashkësia kineze vendase kishte nevojë për meshtarë. Më 1955 qeveria e Saigonit bisedoi me Atë Zhan Batist Zhansens, asokohe epror i përgjithshëm i jezuitëve, për të shqyrtuar mundësitë e hapjes së një universiteti katolik në Saigon. Projekti nuk u realizua, por në vend të tij, jezuitët nisën të merren me një seminar papnor në qytetin Dalat. Në vitin 1956 jezuitët e parë të dëbuar nga Kina arritën në Saigon, ndërsa një vit më pas, bashkësia e Saigonit kishte nisur veprimtarinë e saj të rregullt, që vijoi deri më 1975, kur pushteti kaloi në duart e komunistëve e misionarët e huaj u detyruan të largoheshin nga vendi. Në fund të vitit 1975 Shoqëria e Jezusit kishte në Vietnam 11 meshtarë, 10 studentë të filozofisë, 1 vëlla, 4 novicë e 15 rishtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.