2007-06-30 15:35:28

Notë e atë Federiko Lombardit, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit dhe i Radios sonë, për Letrën e Papës drejtuar katolikëve kinezë.


(30.06.2007 RV)RealAudioMP3 “Letra e Papës drejtuar katolikëve kinezë nuk i zhgënjen, në pritjen e tyre, madje i kënaq. Ka stil origjinal, që të kujton letrat e Besëlidhjes së Re, të shkruara nga Apostujt, për të ngushëlluar e për të orientuar bashkësitë e largëta të besimtarëve të vënë në provë, që ta ndjejnë frymën e përkatësisë në bashkësinë më të gjërë të Kishës universale.
Nuk kanë munguar mesazhet e papëve të mëparshëm për Kishën e popullin kinez, as orientimet, dërguar me rrugë të ndryshme ipeshkvijve që i kërkonin, por tani kemi në dorë një dokument të plotë, të qartë, publik, që u tregon të gjithëve me qartësi e qetësi të plotë ç’është e ç’dëshiron të jetë bashkësia e Kishës katolike që jeton në vendin më të populluar të botës, ku i duhet të përballojë akoma një situatë të vështirë, pasojë e keqkuptimeve dhe e kufizimeve, që e pengojnë të jetojë e të rritet në liri të plotë. Është përgjigje që u jepet pyetjeve të lindura në një situatë vuajtjeje e çorientimi, drejtuar plot besim prej vitesh Romës, Papës, si i vetmi person, i cili mund të përgjigjej me autoritet të vërtetë.
Letra e Benedikti XVI përshkohet nga dy dashuri: për Kinën e për Kishën katolike në natyrën e saj, sipas traditës e doktrinës më të vërtetë.
E shkruar me stilin karakteristik të Papës Racinger, Letra është plot dashuri e mirënjohje për dëshminë besnike të shumë katolikëve kinezë e njëkohësisht, e pasur me teologjinë e Kishës, me citime të shumta nga Besëlidhja e Re e nga Koncili II i Vatikanit. Është një dokument thelbësisht fetar e baritor, që nuk merret me probleme politike ose diplomatike.
Papa nuk kërkon të ndeshet me askënd. Nuk akuzon asnjeri, brënda as jashtë Kishës; ruan gjithnjë një ton të qetë e plot respekt, edhe kur prek problemet e kufizimeve të lirisë, sjelljet e palejueshme, tensionet e brëndshme të Kishës, që konsiderohet një e vetme e që dëshiron me gjithë zemër bashkimin me Papën e bashkimin e brëndshëm, ndonëse në dukje është e ndarë.
Nxitja për bashkim, për pajtim, për falje reciproke, është një nga mesazhet kryesore që përshkon gjithë dokumentin.
Shpjegimi i qartë mbi natyrën e veçantë të bashkësisë kishtare e mbi rolin e ipeshkvijve e shtyn Atin e Shenjtë të prekë pikën kritike të emërimit të ipeshkvijve e të veprimtarisë së organizmave shtetërore, që synojnë të zbatojnë në jetën e Kishës në Kinë, parime të papajtueshme me vizionin katolik, siç është ai i pavarësisë, i autonomisë e i vetdrejtimit. E në se autoritetet kineze flasin për ndërhyrje të jashtme në punët e shtetit, Kisha ndjen rrezikun e ndërhyrjes së palejueshme të shtetit në jetën e saj të brëndshme. Prandaj Papa përpiqet të shpjegojë drejt dallimin ndërmjet planit politik e atij fetar, ndërmjet përgjegjësisë së autoriteteve civile e atyre të Kishës dhe deklaron, plot besim, se Kisha është gati të dialogojë për t’i kapërcyer keqkuptimet, edhe në ecurinë për zgjedhjen e ipeshkvijve. E gjithë letra e shikon në një perspektivë shumë pozitive e plot shpresë rritjen e një Kishe, për të cilën uron të jetë plotësisht kineze e plotësisht katolike, e aftë për t’i transmetuar shoqërisë pasurinë shpirtërore të Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.