2007-06-29 17:49:45

Në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, Ati i Shenjtë shpalli Vitin Paolin, në 2000-vjetorin e lindjes së Apostullit të Popujve.


(29.06.2007 RV)Të dy Apostujt që Kisha i kremtoi sot, dhanë dëshminë e tyre më të lartë pothuajse në të njëjtën kohë e në dy vende fare pranë njëri-tjetrit. Shën Pjetri u kryqëzua këtu, në Romë, e po në Romë iu pre koka edhe Shën Palit. Gjaku i tyre u derdh gati njëherësh, duke u bashkuar simbolikisht në një dëshmi të vetme për Krishtin.
Sipas një tradite të lashtë të kohëve apostolike, që Benedikti XVI e kujtoi mbrëmë në Bazilikën e Shën Palit, duke shpallur Vitin Paolin, kur u takuan për herë të fundit para se të martirizoheshin, Shën Pjetri e Shën Pali u përqafuan dhe e bekuan njëri-tjetrin. Prandaj mbi portalin e madh të Bazilikës Paoline të dy Apostujt paraqiten pranë e pranë në skenat e martirizmit.
E pikërisht në Romë – vijoi Ati i Shenjtë – lidhja që bashkon Shën Pjetrin me Shën Palin në mision mori, që nga shekujt e parë, një kuptim shumë të veçantë: ashtu si lidhet ngushtë lindja e Romës me çiftin mitik të vëllezërve Romuli e Remi, edhe Pjetri e Pali konsiderohen themelues të Kishës së Romës. Me karizma të ndryshme, Pjetri e Pali punonin për të njëjtën kauzë: ndërtimin e Kishës së Krishtit. Pjetri parapriu, Pali e ndoqi, zgjedhja i bëri të barabartë, lodhja të ngjashëm, fundi të njëjtë!
Kjo e shtyu Shën Ireneun, ipeshkvin e Lionit, në gjysmën e shekullit të dytë, të fliste për Kishën e themeluar në Romë nga dy apostujt e lavdishëm, Pjetri e Pali, ndërsa në Afrikën veriore Tertuliani brohoriste: “Sa e lume është Kisha e Romës! Ishin vetë apostujt që derdhën në të, me gjakun e tyre, krejt doktrinën.
E pikërisht për këtë arsye pasardhësi i Shën Pjetrit Apostull kryen një mision të posaçëm në shërbim të unitetit doktrinor e baritor të popullit të Zotit, të përhapur në të katër anët e botës. Në këtë kontekst kuptohet edhe më mirë riti që u kremtua sot paradite gjatë Meshës në bazilikën e Shën Pjetrit, me dorëzimin e palios 46 kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, shprehje konkrete e bashkimit të këtyre barinjve me pasardhësin e Shën Pjetrit. Duke i përshëndetur kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë, Papa i ftoi të gjithë besimtarët të luten për ta e për kishat që u janë besuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.