2007-06-29 17:47:49

Delegacioni i Patriarkanës së Konstandinopojës në Romë për solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal.


(29.06.2007 RV)RealAudioMP3 Për solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, Pajtorë të qytetit të Romës, vjen çdo vit një delegacion i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, ndërsa një përfaqësi e Selisë Apostolike merr pjesë në kremtimet që mbahen në Stamboll më 30 nëntor, në festën e Shën Andreut.
Mbi kuptimin e shkëmbimit të këtyre vizitave, të dëgjojmë, në mikrofonin e Radio Vatikanit, zevendës-sekretarin e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, monsinjor Eleuterio Fortinon:
Përgjigje: - Ishte një nismë e frytshme në dy drejtime. Së pari, shkëmbimi i vizitave të rregullta ndërmjet Romës e Kostandinopojës dy herë në vit është rast vërtetë i përshtatshëm edhe për shkëmbimin e informacioneve, për të mësuar të rejat nga jeta e dyja Kishave si dhe për koordinimin e nismave. Së dyti, shkëmbimi i vizitave bëhet me rastin e dy festimeve të Shenjtorëve Pajtorë: Shën Andreut, pajtor i Patriarkanës Ekumenike e Shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Romës. E kjo tregon qartë se orientimi i dialogut i nënshtrohet lutjes drejtuar Zotit. Është orientim shpirtëror sepse, siç e ka kujtuar edhe Papa Gjon Pali II – në marrëdhëniet ekumenike duhet që kryet e vendit ta ketë lutja: lutja jep jetë, lutja drejton, lutja ndihmon. Ky më duket se është kuptimi kryesor: bisedë e lutje!
Pyetje: - Diçka mbi delegacionin e sivjetëm të Patriarkanës Ekumenike?
Përgjigje: - Si zakonisht, Patriku Ekumenik, kur nuk vjen personalisht, dërgon një delegacion të përbërë nga bashkëpunëtorë të afërt të tij. Delegacini kryesohet gjithnjë nga një metropolit. Sivjet kryetar i delegacionit është metropoliti i Francës, Emanuel, i shoqëruar nga metropoliti i Sasimës, Genadios, sekretar i Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun. Kjo do të thotë se gjatë bisedimeve që do të ketë delegacioni në Romë, do të flitet edhe për takimin e Komisionit të përbërë, që do të mbahet në Ravenë nga 8 deri më 15 tetori i ardhshëm.
Pyetje: - Edhe dy fjalë për arritjet në dialogun ndërmjet katolikëve e ortodoksëve?Përgjigje: - Pas takimit të Beogradit, pozitiv si në zhvillimin e tij, ashtu edhe në çështjet që u trajtuan, në sesionin e ardhshëm duhet të vijojë studimi i bërë mbi kolegjialitetin dhe autoritetin në Kishë; në nivele të ndryshme të Kishës: në nivel dioqezan e në nivel metropolitan patriarkal; e, kujtojmë edhe se tema e sesionit të ardhshëm është ‘Kolegjialitet e autoritet në Kishë, në nivel universal”, dmth se Komisioni përgatitet të studiojë çështjen më të rëndësishme të marrëdhënieve ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse, që ka të bëjë me rolin e Papës në Kishën e Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.