2007-06-28 18:59:53

Të rinj, ministrat britanikë të Gordon Braunit e lajme të tjera


(28.06.2007 RV)Të paktën 30 vetë kanë humbur jetën dhe rreth 45 janë plagosur nga shpërthimi i një autobombe në një lagje shiite të Bagdadit. Nga shpërthimi morën flakë rreth 40 makina të tjera. Ndërkaq, në qendër të Bagdadit gjejnë vdekjen 5 vetë e plagosen 11, në një atentat tjetër. 20 kufoma pa kokë zbulohen në brigjet e lumit Tigër. Nga ana tjetër, tre ushtarë britanikë janë vrarë nga shpërthimi i një bombe në qytetin Basra.


Trupat libaneze kanë vrarë të paktën gjashtë militantë islamikë gjatë përleshjeve në veri të Libanit, në një fshat rreth 5 km larg Tripolit. Ndërsa vazhdojnë hetimet për vrasjen e 6 spanjollëve të kontingjentit ndërkombëtar Unifil, kryeministri libanez Fuad Siniora ndodhet për një turne në Evropë. Nga Parisi, ai ka shkuar sot në Madrid e në mbrëmje u takua në Vatikan me Sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Tarçizio Bertone.


Ndërsa e gjithë politika botërore i uron ish-kryeministrit britanik Toni Bler punë të mbarë në punën e tij si i dërguar i Kuartetit për Lindjen e Mesme, kryeministri i ri Gordon Braun përfundon listën e ministrave. Do të jenë të gjithë të rinj për të nënvizuar dëshirën për ndryshime të Gordon Braunit, por edhe të popullit britanik. Ministri i jashtëm, Dejvid Miliband, është 41 vjeç dhe mban rekordin e ministrit më të ri të jashtëm në 30 vjetët e fundit.

Ekipi i inspektorëve të Kombeve të Bashkuara filloi sot vizitën në reaktorin bërthamor Jongbjon, ku ndodhet qendra e programit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut. Kjo është vizita e parë e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike që nga dhjetori i vitit 2002, kur Koreja e Veriut i dëboi inspektorët. Sipas marrëveshjes 6-palëshe, Piongjangu duhet të ndërpresë programin bërthamor në Jongbjon, në këmbim të energjisë dhe përfitimeve tjera në ndihma humanitare.







All the contents on this site are copyrighted ©.