2007-06-28 18:53:00

Pak histori mbi betejën e Fushë Kosovës


(28.06.2007 RV)Sot, për serbët e Kosovës ishte një ditë e rëndësishme historike. Më 28 qershor të vitit 1389 u zhvillua në fushë Kosovë (Gazimestani i sotëm pranë Prishtinës) beteja e njohur kundër ushtrive otomane të udhëhequra nga Sulltan Murati I. Për serbët kjo është ngjarja, që e bën Kosovën djepin e historisë dhe të kulturës së tyre në Ballkan e, kjo është arësyeja për të cilën nuk mund të shkëputen prej saj.
Sot, autoritetet e UNMIK-ut në Prishtinë u kanë ndaluar të ashtuquajturve “gardistë të Shën Llazarit” të hyjnë në territorin kosovar, duke pasur frikën e ndonjë ndeshjeje mes tyre dhe shqiptarëve, të lodhur nga pritja e përcaktimit të statusit të Kosovës. Manifestimi në Gazimestan u zhvillua pa probleme, në praninë e dy ministrave të Beogradit. Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica ka deklaruar se sot po zhvillohet një tjetër betejë për Kosovën, ajo ndërmjet Beogradit dhe Uashingtonit. Në të vërtetë, dikush mendon se në festën e serbëve në Gazimestan duhet të shkojnë edhe shqiptarët.
Të shohim nëse historia ua jep këtë të drejtë. Ushtria nën udhëheqjen e princit serb Llazar Hrebeljanoviç, përbëhej jo vetëm nga serbë, por edhe nga boshnjakë, rumunë e shqiptarë. Historianët citojnë jo vetëm pjesëmarrësit, por edhe emrat e komandantëve në krye të aleancës ballkanike. Ata qenë: princi Llazar, serb; mbreti Tvrtko, boshnjak; princi Mirçea, rumun dhe kontët Balsha e Jonima, shqiptarë. Princi Llazar u zgjodh prej tyre si komandant suprem.
Nga kjo pikpamje beteja e fushë Kosovës mund të kishte mbetur si simbol vëllazërimi ndërmjet popujve ballkanikë, por fatkeqësisht u transformua në një fantazmë, që kërkon gjak në shekuj. Serbët e kanë brumosur historinë e tyre me shpirtin e kësaj beteje, ku vdiq si Sulltan Murati I, ashtu edhe princi Llazar e ku ushtria ballkanike humbi rëndë. Pasoi shpërbërja e mbretërisë serbe, por kjo frymë kuptohet edhe sot si rezistencë e serbëve ndaj zhdukjes së plotë. Beteja është mistifikuar prej tyre, pasi sipas legjendës, para se të vdiste, princi Llazar pati një vegim hyjnor të “Jeruzalemit qiellor”. Zoti i kërkoi të zgjidhte ndërmjet mbretërisë tokësore e asaj qiellore e princi zgjodhi këtë të fundit, duke fituar kështu sëbashku me ushtrinë e tij martirizimin e fitoren e amshuar. Ky vendim i princit Llazar konsiderohet nga Kisha ortodokse serbe si momenti më i rëndësishëm i historisë së serbëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.