2007-06-28 17:20:58

Në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit Papa do t’u dorëzojë palion 46 kryeipeshkvijve metropolitë.


(28.06.2007 RV)RealAudioMP3 Nesër paradite, duke filluar nga ora 9. 30, Papa do të kryesojë, në bazilikën e Vatikanit, Meshën shenjte në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, në bashkëkremtim me 46 kryeipeshkvij metropolitë, të cilëve do t’u vendosë mbi supe palion. Për simbolikën e palios flet, në mikrofonin e Radios sonë, Imzot Piero Marini, Mjeshtër i kremtimeve Liturgjike Papnore:
Përgjigje: - Është fjala sidomos për bashkëkremtimin liturgjik të Eukaristisë të 46 metropolitëve, e në kremtimin e liturgjisë, kemi edhe këtë rit tradicional të liturgjisë papnore, ritin e dorëzimit të palios. Palio, një lloj shalli i bardhë, që i vihet mbi supe çdo metropoliti, është një shenjë e lashtë, sidomos në Perëndim, ku ka qenë karakteristike për papën. E dimë nga të dhënat historike se Papa e përdorte palion që në shekullin IV. Ka shumë mundësi të jetë simbol dinjiteti, që u dorëzohej perandorëve e që, pastaj, u kaloi ipeshkvijve. Më vonë Roma nisi t’ua japë vetëm metropolitëve, posaçërisht në kohën e Gregorit VII, menjëherë pasi kaloi viti njëmijë, kur ndjehej nevoja të kontrollohej zgjedhja e ipeshkvijve. Që nga kjo periudhë, ipeshkvijtë filluan të vijnë në Romë për ta marrë palion. Më vonë palio nisi t’u jepej edhe atyre që nuk ishin metropolitë, si shenjë nderimi. E kohët e fundit, flas për fundin e viteve ’70, u bë reforma e palios, sipas vendimit të Palit VI. Që atëherë palio u dorëzohet vetëm metropolitëve e shumica e marrin më 29 qershor, në solemnitetin e Apostujve Pjetër e Pal, pikërisht për të nënvizuar lidhjen e atij që e merr palion me Selinë Apostolike.
Pyetje: - Ç’simbolizon palio për ditët tona?
 Përgjigje: - Simbolika e palios ka ardhur duke u pasuruar në rrjedhë shekujsh. Në fillim palio kishte simbolikë thjeshtë kishtare, tregonte delen e humbur, ose më mirë të themi, bariun që e mba delen e humbur mbi supin e majtë. Kjo palio jepet edhe tani nga Benedikti XVI. Është palio që e gjejmë në gjithë ikonografinë, në të gjithë mozaikët e mijëvjeçarit të parë. Më pas, si kaloi mijëvjeçari i parë, palio ndërroi formë; kuptimi i deles së humbur u zbeh deri në harresë e nisi të vihet në formë ypsiloni mbi personin që e mbante, duke fituar një kuptim të ri. Kryqat që e stolisin palion, morën kuptimin e plagëve të Zotit, kryqat e kuq. Karficat morën kuptimin e tri gozhdave të kryqëzimit. Kështu palio mori kryesisht domethënie kristologjike, u bë simbol i Krishtit, Bariut të mirë. Tani i kemi të dy këto elemente së bashku. Palio endet me lesh qengji dhe vijon të simbolizojë delen e humbur; ka tri karfica si dhe kryqat. Të gjitha këto shenja tregojnë se Bariu i mirë e jep edhe sot jetën për delet e veta.







All the contents on this site are copyrighted ©.