2007-06-27 17:29:02

Bler, nga Dauning Strit në Lindjen e Mesme


(27.06.2007 RV)Toni Bler u paraqit sot për herë të fundit në “question time” para Dhomës së Komuneve, ku deklaroi se për të arritur paqen në Lindjen e Mesme duhet të krijohen dy shtete, që bashkëjetojnë të qetë njëri pranë tjetrit. Pas 10 vjetësh në qeverisjen e Britanisë së Madhe, Bler la detyrën e kryeministrit në duart e Gordon Braun. Tashmë, përgatitet për të marrë përgjegjësinë e të dërguarit të veçantë të Kuartetit për Lindjen e Mesme. Pikërisht sot, Moska, e cila deri dje nuk e pranonte kandidaturën e tij, deklaroi se nuk do ta kundërshtojë emërimin e Toni Blerit, duke bërë që të arrihet kështu marrëveshja e nevojshme për emisarin e Kuartetit.
Pasardhësit të Blerit, do t’i duhet të rifitojë simpatinë e popullsisë, duke ndryshuar politikën e Londrës ndaj Irakut. Bler deklaroi sot se i vjen thellësisht keq për rreziqet që përballojnë ushtarët britanikë në terren, por ato nuk janë të kota. Ushtarët luftojnë për një botë më të sigurtë, përfundoi ai.

Ndërkaq, në Rripin e Gazës, rëndohet gjithnjë e më tepër bilanci i ofensivës izraelite të filluar sot në Khan Junis. Deri tani, numri i viktimave ka arritur në 13 palestinezë, ndërsa të plagosurit 45.







All the contents on this site are copyrighted ©.