2007-06-27 17:31:08

Asnjë marrëveshje për presidentin në Shqipëri


(27.06.2007 RV)Duhej të votonte për presidentin sot parlamenti shqiptar, madje ishte raundi i dytë i zgjedhjes, por partitë nuk kanë dalë akoma me një emër, që të propozohet si kandidat e jo më të jetë edhe konsensual. Pas raundit të pestë të bisedimeve mes mazhorancës, së kryesuar nga Partia Demokratike dhe opozitës, së kryesuar nga Partia Socialiste, emri i vetëm në skenën e zgjedhjeve është nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi, kandidat i mazhorancës. Por opozita ka kërkuar që kjo kandidaturë të tërhiqet, pa propozuar nga ana tjetër asnjë person të ri. Mandati i presidentit Alfred Moisiu përfundon më 24 korrik e nëse nuk zgjidhet një president tjetër, Shqipëria është e detyruar të përballojë zgjedhje të parakohshme. Natyrisht, do të ishte më mirë që shqiptarët t’u afroheshin kutive të votimit, kur të ketë mbaruar reforma zgjedhore, pra ndryshimi i ligjit të zgjedhjeve dhe regjistrimi i popullsisë, që do të lejonte përpilimin e listave të sakta për zgjedhjet. Po ku ta dish se ç’kanë ndër mend politikanët e Tiranës?







All the contents on this site are copyrighted ©.