2007-06-26 17:54:34

Skefer i kërkon Putin-it të mos vendosë veton për Kosovën


(26.06.2007 RV)Dje është mbledhur kuarteti për Kosovën, por edhe sot akoma nuk dihet cilat kanë qenë rezultatet përfundimtare të bisedimeve. Ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema ka pasur takime dypalëshe me sekretaren amerikane të shtetit, Kondolica Rajs dhe me ministrin e jashtëm francez. Sot, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Skefer i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin të mos përdorë veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kundër rezolutës mbi Kosovën. Skefer është takuar me Putin në Moskë.

Çështja e Kosovës ka qenë në qendër të debatit të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha me presidentin serb, Boris Tadiç në takimin e nivelit të lartë të vendeve të nismës së Bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi, në Stamboll. Berisha u ndal edhe në origjinën e territoreve kosovare, që, theksoi ai, iu dhanë shteteve fqinje, ngaqë Perandoria osmane humbi luftën. Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e ashpër të Tadiçit, i cili theksoi se Kosova është vendi i origjinës së serbëve.
Pikërisht më 28 qershor bie përvjetori i 618-të i betejës së Kosovës. Serbët kanë kërkuar ta festojnë këtë ditë me një marrshim nga Mitrovica në Gazimestan, pranë Prishtinës, por administrata ndërkombëtare u ka mohuar atyre lejen. Autoritetet kanë deklaruar se komuniteti serb do të lejohet që të festojë në Gazimestan më 28 qershor, por rruga deri në fushën e Kosovës do të bëhet vetëm me autobusë dhe vetura civile, të shoqëruara gjithmonë nga policia.

“Ratko Mladiç është në Serbi dhe qeveria e re ka vullnetin politik për të na dorëzuar 4 kriminelët e luftës që mungojnë”, por “derisa të mos kapen e dorëzohen, Bashkimi Evropian nuk duhet të nënshkruajë Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Serbinë”. Janë fjalët e kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, gjatë një audience në Komisionin e jashtëm të Parlamentit evropian.
Ndërkaq, zv.presidenti i Komisionit Evropian për sigurinë, Franko Fratini njoftoi po sot se duke filluar nga viti 2008, Brukseli dhe Beogradi do të ulen në një tryezë bisedimesh për të shikuar mundësinë e heqjes së vizave për serbët që duan të udhëtojnë në Evropë.







All the contents on this site are copyrighted ©.