2007-06-26 17:59:13

Rusia kundër Toni Blerit si i dërguar për Lindjen e Mesme


(26.06.2007 RV)Përfundoi pa deklarata formale mbledhja e sotme e Kuartetit për Lindjen e Mesme në Jeruzalem. Para shpërndarjes së një komunikate për shtyp, emisari evropian, Mark Ote duhet t’i bëjë një raport Brukselit. Gjithsesi, dihet se Kuarteti ka diskutuar për emërimin e ish-kryeministrit britanik, Toni Bler si të dërguar të veçantë për Lindjen e Mesme. Vetë Bler i dorëzoi sot detyrën kryeministrit të ri britanik Gordon Braun dhe u tregua i gatshëm për të marrë në dorë detyrën e re. Por Moska është kundër e prandaj, Kuarteti duhet të mblidhet sërish në nivel ambasadorësh për të diskutuar çështjen. Për çudi, qëndrimi i Moskës përputhet me atë të lëvizjes islamike palestineze Hamas, e cila e konsideron Blerin një aleat të amerikanëve, protagonist të luftës në Irak.


“Droga kontrollon jetën tënde? Jeta jote. Bashkësia jote. Nuk ka vend për drogën”: kjo është tema e fushatës kundër drogës me rastin e Ditës botërore kundër konsumit dhe trafikut të paligjshëm të drogës, që bie sot. Me përhapjen e drogës, sqaron sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, lidhet edhe përhapja e sëmundjeve si Sida dhe hepatiti, arësye kjo e mjaftueshme për të luftuar fenomenin. Sipas raportit më të fundit të Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin, Shqipëria dhe Hollanda janë prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit në Evropë.


Po sot kremtohet Dita Botërore në mbështetje të viktimave të torturës. Pikërisht më 26 qershor të vitit 1987 u nënshkrua Konventa e OKB-së kundër torturës. Për t’u shënuar fakti se dokumenti akoma duhet ratifikuar nga shumë shtete, që e kanë firmosur, pavarësisht se sot mbushen 20 vjet që ka hyrë në fuqi.







All the contents on this site are copyrighted ©.