2007-06-26 15:55:28

Opus Dei – Ta kërkosh Zotin në jetën e përditshme.


(26.06.2007 RV)Duke kremtuar festën Shën Hosemaria Eskriva de Balaguer, meshtar, themelues i Opus Dei, me që Prelatura është pak e njohur në Shqipëri, po shpjegojmë sot si është organizuar e ç'veprimtari apostolike kryen në gjirin e Kishës universale.
Së pari, si e konceptoi Imzot Escrivà Opus Dei-n në fillimet e veprimtarisë së Prelaturës?
“Prelatura, siç dihet, e nisi veprimtarinë e vet apostolike më 1928 dhe ideja themelore ishte të mobilizonte e të rizgjonte tek të gjithë të krishterët thirrjen për shenjtëri, atë që më pas do të ishte ideja e shpallur nga Koncili II i Vatikanit: ideja e thirrjes universale për shenjtëri. Kjo është ideja themelore e Shenjtit. Me kalimin e kohës kuptoi se një ide e tillë duhej veshur edhe me pekt juridik, brënda Kishë”.
Me miratim të Papës Gjon Pali II, Opus Dei bëhet prelaturë. Dëshirojmë t'i sqarojmë dëgjuesit tanë ç'do të thotë Prelaturë?
“Po e shpjegojmë thjeshtë, pa hyrë tepër në hollësitë e përcaktuara nga e Drejta Kanonike: Koncili II i Vatikanit parashikoi, posaçërisht në Dekretin "Presbiterorum Ordinis", mundësinë për të ndërmarrë nisma të posaçme baritore nga ana e grupeve të ndryshme shoqërore në një komb ose në mbarë botën, për të themeluar dioqeze të veçanta ose prelatura personale. Këto lloj prelaturash personale, duhet të ishin në ndihmë të Kishës universale për realizmin e veprimtarive të posaçme. Pas Koncilit, Papa Pali VI hartoi Dekrete që e aktualizuan këtë parashikim e kështu, më 1982, u arrit në themelimin e asaj që deri në atë kohë njihet si prelatura e parë dhe e vetme personale. Është fjala për një strukturë që bën pjesë në Kishë dhe jep ndihmesën e vet në asistencën shpirtërore, formimin apostolik dhe mbështetjen për zhvillimin e veprimtarive apostolike në shërbim të Kishës në mbarë botën, me një thirrje personale. Prandaj njerëzit apo besimtarët që hyjnë në Opus Dei nuk e bëjnë këtë mbi bazë të një marrëveshjeje asociative, me një fjalë shqipe, duke jetuar në kuvend, por duke iu pëgjigjur një thirrjeje që besojmë se është plotësisht e mbinatyrshme”.
Po shpjegojmë me dy fjalë edhe strukturën e Opus Dei-t:
“Opus Dei është prelaturë personale që kryesohet nga një prelat, i cili në rastin tonë ka edhe autoritet ipeshkvnor; ndahet në disa rrethe, sipas vendeve të ndryshme të botës, ku është e pranishme dhe në çdo vend ka një zëvendës të prelatit i cili - i ndihmuar nga këshilli - vë në lëvizje dhe organizon ndihmën shpirtërore për të cilën kanë nevojë besimtarët e prelaturës; pastaj në çdo qytet ekzistojnë qendra, të cilat kryejnë veprimtari të ndryshme apostolike, që kanë në bazë kolegjialitetin e jo idetë personale të njërit apo të tjetrit. Ideja tjetër është ajo e decentralizimit, domethënë e mishërimit të veprës në mendësinë e në mënyrën e jetesës të çdo Kombi, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të ndryshme në vende të ndryshme".
E duke kaluar te organizimi, shpjegojmë se:
Është tepër i thjeshtë. Si vetë Kisha: përbëhet nga njëra anë prej besimtarëve laikë - pjesa më e madhe kjo, sepse rreth 98% janë besimtarë laikë, të cilët mund të jenë beqarë, të martuar ose të vejë, njerëz të lidhur ngushtë me Kishën. Një përqindje e vogël janë meshtarë, që përbëjnë klerin e Prelaturës dhe zhvillojnë veprimtari të dyfishtë: në shërbim të formimit të posaçëm të anëtarëve të Prelaturës dhe në shërbim të të gjithë besimtarëve të tjerë, që e kërkojnë këtë asistencë baritore. Veprimtaria e secilit varet nga rrethanat personale, familjare e profesionale. Ka edhe njerëz që ia kushtojnë të gjitha energjitë e të gjithë kohën e tyre e që jetojnë në Qëndrat e Veprës për të drejtuar veprimtaritë formuese. Ata që jetojnë në familje, kryejnë një apostullim më të rëndësishëm, atë personal, japin dëshminë e krishterë të doktrinës dhe shembullin e mirë kudo që ndodhen.
Por, si duhet vepruar për të hyrë në Opus Dei? “Secili duhet ta zbulojë këtë thirrje personale, që nuk e merr në mënyrë - si të themi - mistike, por përmes njohjes, ndihmës, veprimtarive apostolike, leximit dhe thellimit në shkrimet e shenjtit Hose Maria si dhe përmes lidhjeve të miqësisë personale. Eshtë diçka që fiton pjekurinë e vet në shpirtin, në ndërgjegjën e secilit. Nuk është thjeshtë çështje antarësimi, siç mund të bëhet, bie fjala, në një klub ose shoqatë. Themeluesi u thoshte me shaka, posaçërisht të rinjve, se siguria e thirrjes nuk fitohet sepse zbret një engjëll, shkul një pendë nga flatrat e veta e me të shkruan aktin, i cili vërteton se një njeri ka thirrje. Thirrjen mund ta zbulosh vetëm përmes lutjes!”.
Për të përfunduar, po kujtojmë disa shifra: cili është numri i meshtarëve dhe ai i besimtarëve që bëjnë pjesë në Prelaturë:
“Po të flasim në përgjithësi, duke rrumbullosur shifrat e viteve të fundit, besimtarët e Prelaturës janë 84 mijë, në të cilët përfshihen edhe 1. 800 meshtarë. Numri i grave është i barabartë me atë të burrave. Në Evropë jetojnë rreth 49 mijë besimtarë; në Amerikë - 29 mijë; në Afrikë – 1. 600 besimtarë; në Azi e Oqeani 4. 700. Shumica e besimtarëve janë të martuar, jetojnë në familje, ndërsa të tjerët i kushtohen veprimtarive të Prelaturës me kushtin e çelibatit apostolik..







All the contents on this site are copyrighted ©.