2007-06-26 15:55:04

Kisha kremtoi Shenjtin Hosemaria Eskriva de Balager, meshtar, themelues i Opus Dei.


(26.07.2007 RV)Hosemaria Eskriva lindi në Barbastro të Spanjës më 9 janar 1902, studioi në Seminarin e Longronos e të Saragozës, ku u diplomua në teologi e drejtësi, në sa më 28 mars 1925 u shugurua meshtar. Më 1927 u transferua në Madrid, ku punoi pa pushim në të gjitha mjediset, duke iu kushtuar të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve.
2 tetorin e vitit 1928, Escriva pa në vegim veprën që priste të realizohej prej tij. Ishte festa e Engjëjve të Rojës. Don Hosemaria nuk do ta harronte kurrë tingëllimin e këmbanave, që dëgjoi atë ditë! Mishel Doc, teologu të cilit iu besua nga Opus Dei hartimi i biografisë, që iu dorëzua pjesëmarrësve në ceremoninë e shenjtërimit të tij, së bashku me doracakun e shtegtarit, rikujton me këto fjalë, atë që ngjau atë 2 tetor, datë që do të shënonte një kthesë vendimtare në jetën e Escriva De Balaguer dhe të qindra njerëzve.
“Më 2 tetor, pas Meshe, don Hosemaria u kthye në dhomën ku banonte dhe nisi të vinte në rregull shënimet e tij, vendimet, propozimet…E ndërsa shkruante, papritmas pa qartë vullnetin e Zotit. Më vonë, kur do të fliste për këtë çast, do të përdorte gjithnjë foljen "pashë" lidhur me këtë ndërhyrje të mbinatyrshme: ishte një vegim intelektual i Opus Dei-t, ashtu siç e dëshironte Zoti e si do të ishte në rrjedhë shekujsh”.
Në dritën e Zotit - shkruhet në biografinë e tij - pa njerëz të çdo race, të çdo moshe e kulture që e kërkojnë e e gjejnë Zotin, në sa jetojnë të përditshmen e tyre në punë, në familje, në miqësitë, në kënaqësitë e orës kur çlodhen nga telashet e përditshme. E kërkojnë Jezusin për ta dashur e për të jetuar jetën e Tij hyjnore, derisa të lëshohen plotësisht në duart e tij e të bëhen shenjtorë: shenjtorë të botës! Vegim tronditës, në të cilin shihen të krishterë të zakonshëm, laikë që bëhen apostuj, që e shndërrojnë botën, pa u shkëputur për asnjë çast prej saj!Ndërsa vijonte vegimi e Hosemaria kishte rënë në gjunjë, i prekur thellë në shpirt, nisën të tingëllojnë këmbanat e Kishës së Zonjës së Engjëjve për të festuar Lajmëtarët qiellorë. Kumbonin në një mënyrë aq të mrekullueshme, sa të mbeteshin përjetë në kujtesën e meshtarit. "Kisha 26 vjeç, hirin e Zotit e humor të mirë. Vetëm kaq. E më duhej të themeloja Opus Dei-n" - kujtonte më vonë meshtari, i cili vdiq më 26 qershor 1975, u varros në Kishën e Shën Marisë së paqes në Romë; u lumnua më 17 maj 1992 e u shenjtërua më 6 tetor 2002, gjatë një kremtimi solemn, kryesuar nga Gjon Pali II në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e më se 300 mijë besimtarëve nga mbarë bota.







All the contents on this site are copyrighted ©.