2007-06-26 15:54:43

Benedikti XVI përcakton, me një ‘Motu Proprio’ se për të zgjedhur papën, do të jetë gjithnjë e nevojshme një shumicë e përbërë nga 2/3 e votuesve.


(26.06.2007 RV)Modifikim i rëndësishëm i rregullores për zgjedhjen e papës në Konklav. Benedikti XVI përcakton, me një Letër Apostolike në formën e ‘Motu Proprio’, që mban datën 11 qershor, por që u publikua sot, se për të zgjedhur papën, do të jetë gjithnjë e nevojshme një shumicë e kualifikuar, e përbërë nga 2/3 e votuesve. Kjo vendoset përmes ‘Motu Proprio’, shpallur sot, e cila rishqyrton normën tradicionale rreth shumicës që kërkohet për zgjedhjen e papës. Sipas normës së re, që zgjedhja e Papës të konsiderohet e vlefshme, është gjithnjë e nevojshme një shumicë e përbërë nga 2/3 e kardinajve të pranishëm në Konklav. Kujtojmë se para kësaj ‘Motu Proprio’, Kushtetuta apostolike ‘Universi Dominici Gregis’ e vitit 1996, vendoste – në pikën n. 75 – se pas 33 votimeve, në se zgjedhësit nuk kishin arritur të merreshin vesh, do të mund të vijohej votimi, në përfundim të të cilit, për zgjedhjen e papës, do të ishte e mjaftueshme vetëm shumica absolute. Motu Proprio e Benediktit XVI përcakton, në fund, se norma e re hyn në fuqi në datën e sotme, njëkohësisht me publikimin e dokumentit papnor në gazetën ‘L’Osservatore Romano’.







All the contents on this site are copyrighted ©.