2007-06-25 18:15:19

Benedikti XVI vizitoi Bibliotekën dhe Arkivin Sekret të Vatikanit: shtëpi shkence e kulture, të hapura për të gjithë, larg polemikave e qëndrimeve të njëanshme.


(25.07.2007 RV) RealAudioMP3 E rëndësishme e sugjestive, vizita që bëri Benedikti XVI sot paradite në Bibliotekën Apostolike e në Arkivin Sekret të Vatikanit. Papën e pritën, ndërmjet tjerësh, kardinali Zhan Lui Toran, arkivist e bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake dhe Prefekti i Bibliotekës Apostolike, imzot Rafaele Farina, të cilëve pikërisht sot iu njoftuan detyrat e reja, caktuar nga Benedikti XVI, që do t’i nisin më 1 shtatorin e ardhshëm. Kardinali Toran emërohet kryetar i Këshillit Papnor Ndërfetar, ndërsa vendin e tij do ta zërë Imzot Farina, i ngritur në dinjitetin e kryeipeshkvit. Këtë të fundit do ta zevendësojë imzot Qesar Pazini, deri tani zevendës-prefekt i Bibliotekës ambroziane.
Biblioteka Apostolike është “shtëpi e shkencës, e kulturës dhe e humanizmit”. Arkivi Sekret është një peshtaf për kërkime erudite në fushën e historisë së lashtë e bashkëkohore, i hapur pa pengesa për studiuesit, por larg polemikave shterpe, të nxitura nga lexime të njëanshme të historisë. Kështu e sintezoi Benedikti XVI punën dhe shërbimin e veçantë që dy institucionet i bëjnë prej shekujsh Kishës e Papës.
Skena që u hap sot para syve të Atit të Shenjtë ishte nga ato që e lënë pa frymë një studiues si Benedikti XVI e çdo njeri kulture. Këtu syri mund të të përfshijë një numër të pafundmë librash, dokumentesh, gjetjesh, që kanë bërë historinë e Kishës e të njerëzimit. Ose mund të ndalohet mbi thesare të posaçme: mbi ‘Kodikun e Vatikanit’, për shembull, dorëshkrim me vlera të pallogaritshme, stolisur me miniatura mahnitëse, shkruar 1700 vjet më parë, që përmban tekstin e plotë të Biblës në gjuhën greke, ose mbi veprën e paçmueshme, që njihet me emrin ‘Papiri Bodmer’, dhuruar kohët e fundit Bibliotekës, mbi të cilin 1800 vjet më parë u shkruan, në Egjipt, tekstet më të lashta të Ungjillit të Lukës e të Gjonit që njihen deri tani. E akoma, aktet origjinale të procesit të Galileo Galileit, një kodik autograf i Shën Tomës së Akuinit, ose letrat origjinale të Martin Luterit. Shtegtim në botën e mendimit e të shpirtit, që numron një milion e 600 mijë libra të shtypur, 8300 inkunaboli e 75 mijë dorëshkrime, të ruajtura në mjediset e shkëlqyera të Bibliotekës Apostolike e të Arkivit Sekret të Vatikanit, të cilat Benedikti XVI i vizitoi pak javë para se të mbyllen, e për një kohë të gjatë, për riorganizimin e tyre, duke filluar nga 14 korriku i ardhshëm:
“Detyra juaj, të dashur miq që punoni këtu ditë për ditë, është të ruani sintezën e kulturës e të fesë, e cila transpiron nga dokumentet e çmueshme e nga thesaret që ruani, nga muret që ju rrethojnë, nga muzetë, që janë këtu pranë e nga bazilika mahnitëse, që duket me gjithë shkëlqimin e saj, nga dritaret tuaja”.
E, duke kaluar prej Bibliotekës, tek Arkivi Sekret i Vatikanit e tek largpamësia e Leonit XIII i cili, më 1881 ia hapi dyert për studiuesit, Benedikti XVI vuri në dukje interesin që zgjoi vendimi i tij, një vit më parë, për hapjen e letrave të papnisë së Piut IX. Gjithsesi, vërejti Papa Racinger
Kërkimet shkencore, studimet e publikimet mund të bëjnë nganjëhere të lindin, veç interesimit thjeshtë historik, edhe polemika. Në këtë vështrim, nuk mund të mos e vlerësoj shërbimin e painteres e të paanshëm që ka bërë Arkivi Sekret, duke qëndruar larg vizioneve shterpe e shpesh edhe të dobta e të njëanshme historike e duke u ofruar studiuesve, pa përjashtime e pa paragjykime, materialin dokumentar që disponon, organizuar me seriozitet e kompetencë”.
Një punë e jashtzakonshme, pra – që Papa e njohu dhe e lavdëroi disa herë – duke nënvizuar sa vlerë të madhe ka ky impenjim i heshtur i përditshëm, me të cilin edhe kardinali i dikurshëm Racinger do të ishte marrë me kënaqësi:“Po ju rrëfej se, kur i mbusha 70 vjeç, pata dëshiruar shumë që Papa i dashur, Gjon Pali II, të më lejonte t’i kushtohesha studimit dhe kërkimit të dokumenteve, që ju i ruani me kujdes, kryevepra të vërteta, që na ndihmojnë të njohim gjithtë historinë e njerëzmit e të krishterimit. Në planet e veta providenciale Zoti zgjodhi një rrugë tjetër për mua e ja tani, jam mes jush jo si studiues i pasionuar tekstesh të lashta, por si Bari, i thirrur t’u jap zemër të gjithë besimtarëve për të bashkëpunuar në shëlbimin e botës, duke kryer secili vullnetin e Zotit, atje ku është caktuar të punojë”.
Benedikti XVI e përfundoi vizitën duke njoftuar emërimet e reja në Bibliotekën Apostolike e në Këshillin Papnor për dialogun ndërfetar, që do të ketë tani kryetarin e vet, pasi këtë detyrë e ka mbuluar që nga marsi i vitit 2006, kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës.







All the contents on this site are copyrighted ©.