2007-06-23 15:54:13

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(24.06.2007 RV)Sot, e diela XII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Kisha katolike kremtoi ditëlindjen e Shën Gjon Pagëzuesit. Kujtoi edhe shenjtorët Gjoni e Festi, martirë .
Shën Gjon Pagëzuesi është shumë i nderuar në vise të ndryshme të Shqipërisë, sidomos në ato që mbajnë emrin e tij: Shëngjon ose Shëngjin. Kështu sot ishin në festë Hoti, Fushë Derveni, Shëngjini e Fushë Mamurrasi.
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Gulielmit, abat, themelues i murgjërve të Montevergjine dhe e Shën Galikanit, ipeshkëv i Embrunit. Liturgjia e festës së tyre na kujton se nuk jemi ne ata, që duhet ta gjykojmë të afërmin: tepër i cektë është vështrimi ynë e tepër i errësuar nga e keqja. Në se tregohemi të mëshirshëm në jetë, me mëshirë do të gjykohemi edhe në gjyqin e mbramë.
Liturgjia e së martes na kujton se njerëzit që e kanë zemrën të pastër, do të banojnë në shtëpinë e Zotit. Janë ata që e ruajnë çdo dhuratë të Zotit si thesar të çmuar dhe e bëjnë të japë fryt në marrëdhëniet me të tjerët. Kjo është rruga e sigurtë e shëlbimit. E kjo, edhe dita e festës së Shën Virgjilit, e Shën Gjonit e Palit martirë dhe e Shën Hosemaria Eskrivá de Balaguer, meshtar, themelues i Opus Dei.
Shën Çirili i Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i Kishës, që do të kremtohet të mërkurën, na kujton se njeriu njihet nga frytet e jetës së tij, dmth, nga veprat. Mos dëgjo fjalët, shiko veprat – është kriter, të cilin na e mëson vetë Jezu Krishti, që të jemi në gjendje ta dallojmë njeriun e vërtetë të Zotit nga profetët e rremë.
Shën Ireneu, ipeshkëv i Lionit e martir, i cili do të kremtohet të enjten, ishte njeri i fesë e bari besnik i grigjës që i qe besuar. Nga Bariu i Mirë kishte mësuar ndjenjën e masës, pasurinë e doktrinës, zellin misionar, cilësi që duhet t’i bëjmë tonat, për të qenë miq të vërtetë të Jezusit.
Të premten e ardhshme është festa e Shën Pjetrit e e Shën Palit, kremtuar së bashku që në kohët e para të krishterimit. Duhet t’u jemi mirënjohës, sepse me gjakun e tyre bënë të lulëzojë Kisha në shekuj. Kujtojmë se dy Shenjtorët-Apostuj janë Pajtorë të qytetit të Romës e se trupi i Shën Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa ai i Shën Palit, në Bazilikën e Ostienses. Shenjtorët Apostuj kremtohen në shumë vise të Shqipërisë. Kujtojmë së pari, se katedralja e Kryeqytetit i kushtohet Shën Palit, që prandaj edhe kremtohet shumë nga besimtarët e Tiranës; por kremtohet edhe në Bajzë, ku ngrihet katedralja e gjithë Malësisë së Madhe, pastaj në Hajmel, në Shën Pjetër e në Dardhë.
Të shtunën do të kremtohen martirët e parë të Kishës romake, festa e të cilëve na kujton thirrjen: “Bekuar qofsh, o Zot, Hyj besnik! Ti nuk i harron kurrë ata që dhurojnë gjakun për dashurinë tënde!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.