2007-06-23 15:54:41

Në takimin e Benediktit XVI me Tonin Bler u fol për paqen në Lindjen e Mesme, ardhmërinë e Bashkimit Evropian dhe dialogun ndërfetar.


(23.06.2007 RV)Në një atmosferë shumë të përzemërt, Papa priti sot në audiencë kryeministrin britanik, Toni Bler, që arriti në Romë pak orë pas largimit nga Brukseli, ku mori pjesë në takimin e rangut të lartë, në qendër të vëmendjes së opinionit botëror. “Dëgjova se u krye me sukses” – i tha Papa kryeministrit britanik, pasi shtrënguan duart. ‘Po’- u përgjigj Bler – por ishte një natë tepër gjatë. Përfundoi sot në mëngjes, në orën 5. 30’. Këto fjalë u shkëmbyen në Sallën e Fronkës, para se të fillonte bisedimi privat.
Gjatë këtij bisedimi – sipas Komunikatës së Sallës së Shtypit të Vatikanit – u fol për disa aspekte të kontributit të rëndësishëm që ka dhënë Toni Bler gjatë dhjetë vjetëve të qeverisjes së tij. Pastaj Papa dhe kryeministri britanik u ndaluan kryesisht tek situata ndërkombëtare, pa harruar çështjet posaçërisht delikate të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe të ardhmërisë së Bashkimit Evropian, menjëherë pas samitit të Brukselit. Së fundi, si shkëmbyen opinione mbi disa ligje, miratuar kohët e fundit nga parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar, Papa i bëri Toni Blerit urimet më të mira në prag të largimit nga detyra e kryeministrit, duke pasur parasysh se Bler ka shprehur dëshirën të impenjohet në mënyrë të posaçme për paqen në Lindjen e Mesme dhe për dialogun ndërfetar.
Menjëherë pas bisedimit privat, u hapën dyert e Bibliotekës së Benediktit XVI dhe hyri delegacioni që shoqëronte Blerin: në të bënin pjesë 11 personalitete si dhe bashkëshortja e kryeministrit britanik, Sheri. Bleri i dhuroi Papës tri fotografi të epokës, të kardinalit të madh Gjon Henri Njuman, anglikan i kthyer në katolicizëm në shekullin e kaluar. Njëra nga fotot ishte e nënshkruar nga vetë kardinali Njuman, ndërsa Benedikti XVI u dhuroi të pranishmëve medalje të papnisë e rruzare. Pasi u përshëndet me Papën, Bler zbriti në katin e dytë të Pallatit Apostolik, ku u takua me kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.