2007-06-22 18:44:18

Mbrojtja e familjes dhe e jetës, pajtimi kombëtar dhe dialogu me myslimanët ishin temat kryesore të fjalimit të Papës drejtuar ipeshkvijve e Togos.


(22.06.2007 RV) “Të impenjohen në rrugën e dialogut e të pajtimit, duke u nisur nga Krishti”: kjo është porosia kryesore që u dha Ati i Shenjtë ipeshkvijve të Togos, të cilët i priti sot në audiencë në Vatikan, në përfundim të vizitës së tyre ‘ad Limina”. Gjatë takimit me prelatët afrikanë, Ati i Shenjtë u ndalua posaçërisht tek marrëdhëniet e të krishterëve me myslimanët, tek veprimtaria baritore me familjen dhe tek edukimi i të rinjve. Duke uruar që Kisha dhe populli togolez të jetojnë gjithnjë me frymën e vëllazërisë e të paqes, Papa u shprehu prelatëve mirënjohjen për guximin me të cilin po i prijnë Kishës në vitet e fundit, plot vështirësi për vendin afrikan, në përpjekjen për sigurimin e të mirës së përgjithshme:
Në raste të ndryshme - vërejti Shenjtëria e Tij – keni kontribuar për pajtimin kombëtar dhe u keni kujtuar të gjithëve impenjimin për të mirën e përbashkët, duke i qëndruar besnikë së vërtetës së Hyjit e të njeriut”.Prej këndej, Ati i Shenjtë iu lut Zotit t’i bëjë të frytshme këto përpjekje, por duke pasur parasysh se edhe jeta kishtare në vend nuk është pa shqetësime, kërkoi që ipeshkvijtë të jenë të bashkuar, sepse bashkimi i dukshëm i nxënësve të Krishtit është një realitet që e bën të besueshme dëshminë e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.