(22.06.2007 RV)Masakër e re civilësh në Afganistan. Fatkeqësisht, edhe një
herë përgjegjës është i ashtuquajturi “zjarr mik”. Gjatë një sulmi ajror të NATO-s
në provincën e Helmandit, u vranë 25 civilë, ndër të cilët 9 gra e 3 fëmijë. Gjetën
vdekjen edhe 20 persona të dyshuar si talebanë. Autoritetet afgane kanë protestuar,
duke sqaruar se nuk janë lajmëruar për sulmin.
Në Irak, një bombë në
provincën e Al Anbarit ka shkaktuar vdekjen e 20 policëve irakianë. 17 terroristë
të Al Kaidës janë vrarë ndërkaq nga forcat e koalicionit, pranë Khalisit. Gjatë muajit
qershor kanë humbur jetën 60 ushtarë amerikanë e mëse 1000 civilë. I vetmi lajm i
mirë është se kanë liruar 8 të krishterët e rrëmbyer të mërkurën, por pas pagimit
të një shume të majme të hollash.
Nesër, në Indi do të mbahet një
manifestim për të drejtat e njeriut dhe kundër persekutimeve në rritje ndaj të krishterëve.
Në këtë iniciativë do të marrin pjesë persona të zonave të ndryshme të vendit aziatik
dhe përfaqësues të bashkësisë së krishterë. Kohët e fundit, shumë shtete indiane kanë
miratuar ligje kundër kthimit në një fe tjetër.
Të dërguarit e veçantë të
Kuartetit të ndërmjetësuesve për Lindjen e Mesme do të arrijnë në Jeruzalem
të martën, një ditë pas takimit rajonal në Egjipt, ku kryeministri izraelit Ehud Olmert
do të bisedojë me presidentin palestinez Abu Mazen, me presidentin egjiptian dhe me
mbretin e Jordanisë.