2007-06-22 18:46:36

Emigrimi i detyruar i evropianëve të lindjes drejt perëndimit ndiqet me shqetësim nga Kisha: Imzot Gjordano komenton takimin e ipeshkvijve evropianë në Minsk.


(22.06.2007 RV)RealAudioMP3 Fenomeni i emigrimit në Evropë, por edhe dialogu ekumenik në Kontinent si dhe gjendja e Kishës bjelloruse, ishin në qëndër të vëmendjes në takimin e sekretarëve të përgjithshëm të 34 konferencave ipeshkvnore evropiane, që u mbajt këto ditë në Minsk të Bjellorusisë, me nismën e KKEE-së (Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës). Sekretari i përgjithshëm i këtij organizmi, imzot Aldo Gjordano, vë theksin mbi arritjet e takimit, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Ishte një përvojë shumë domethënëse; u mirëpritëm nga një vend, që ndodhet në qendër të Evropës, që e quan veten “zemra e Evropës”. E, gjëja e parë që kuptuam ishte se, si Kishë, është vërtetë e drejtë ta konsiderosh si Evropë, në tërësinë e saj, atë që shkon nga Atlantiku deri në Urale. Mundem të njohim nga afër jetën e Kishës bjelloruse, e cila ka vuajtur shumë, gjë që ka lënë shenja të dukshme. Gjatë luftës së fundit e gjatë regjimit nazist, u vranë qindra meshtarë e ipeshkvij, u rrënuan qindra kisha. E megjithatë, feja nuk u zhduk, feja mbijetoi, falë dëshmisë e lutjes së laikëve. Tani ndikon fort kjo fe e vërtetë, kjo fe e vënë në provë, që e ndjen fuqimisht shenjtërinë, që frymëzohet prej saj. Nga ana tjetër, kemi të bëjmë me një Kishë që, pas rënies së Murit të Berlinit, nisi të riorganizohet. Natyrisht kanë filluar të vërehen edhe shenjat e para të ndikimit të shekullarizimit, sidomos në qytete, që ndikohen më shumë nga mendësia tipike e botës perëndimore. Lind, atëherë, sfida e re për Kishën bjelloruse e për të gjitha Kishat e Evropës lindore: ballafaqimi me këtë mendësi, ta quajmë, më të shekullarizuar.
Pyetje: - Imzot Gjordano, një nga shqetësimet e Kishës katolike në Bjellorusi është ai i emigrimit e posaçërisht, i emigrimit të detyruar. Pse?
Përgjigje: - Posaçërisht vendet e lindjes së Evropës vuajnë të gjitha nga ky emigracion i detyruar: shkaqet duhen kërkuar tek papunësia, tek varfëria, e, nganjëherë, edhe tek vështirësitë politike; e pastaj edhe tek mirazhi për një jetë më të mirë, një jetë që i krijon gjithë familjes mundësinë të marrë frymë më lirisht. Në vendet e Lindjes, si Bjellorusia, Rumania e të tjera, pas vitit 1989, mund të themi se 10, 15 e deri në 20 % e popullsisë është larguar tashmë nga vendi, ka emigruar ku ka mundur. E shumica e emigrantëve janë të rinj. Kjo ikje përbën një problem të rëndë lokal, sepse pak nga pak edhe këto popullsi, më parë të reja, tani po plaken. E pastaj, duhet pasur parasysh edhe se gjithnjë më shpesh janë forcat më të mira, më të përgatitura, që kërkojnë një ardhmëri më të mirë jashtë vendi.
Pyetje: - Atëherë mund të themi se një nga rreziqet më të mëdha për Evropën lindore është fenomeni i ‘ikjes së trurit’ dmth ikja e forcave më të mira….
Përgjigje: - Ne, si Kishë, jemi të shqetësuar e përpiqemi të krijojmë ndërmjet vendeve tona marrëdhënie të tilla, që t’u sigurojnë këtyre forcave mundësitë të qëndrojnë në vend e të kontribuojnë për ardhmërinë më të mirë të vendit të tyre, në vendin e tyre…
Pyetje: - Si e vlerësoni aspektin e ekumenizmit, një nga temat e tjera që ju, si Këshill i Konferencave Episkopale të Evropës e patët në qendër të vëmendjes në Minsk...
Përgjigje: - Në Bjellorusi, në Minsk, vizituam metropolitin rus Filaret dhe pamë se këtu ndjehet fort respekti reciprok ndërmjet kishave, pra kemi të bëjmë me një situatë interesante, që meriton të studiohet. Përsa i përket mbarë Evropës, nuk mungojnë edhe situata amullie, sidomos në disa kisha të perëndimit. Ndërsa në vende të tjera, të cilat ndoshta nuk kanë traditë të madhe ekumenike, ndeshemi me fakte të reja. Në të gjithë botën lindore ka nisur një bashkëpunim tepër i kënaqshëm mbi disa tema me interes të përbashkët, si vlerat e procesit të bashkimit evropian, familja, jeta etj. Ne mund të bashkëpunojmë shumë lidhur me këto tema dhe i kemi nisur tashmë disa forma të reja bashkëpunimi, të cilat pak vjet më parë as që mund të mendoheshin.
  Kujtojmë se, pa llogaritur numrin e intelektualëve të përgatitur, që janë larguar nga Shqipëria gjatë 15 vjetëve të fundit, mendohet të ketë rreth 25.000 studentë shqiptarë nëpër universitetet e botës, kryesisht në Evropë dhe SHBA. Shifrat e sakta mungojnë. Shumë prej tyre, të joshur nga mundësi më të mira financiare dhe një standard më i lartë jetese jashtë vendit, kanë vendosur të mos kthehen më në Shqipëri. Në një intervistë të kohëve të fundit kushtuar studentëve shqiptarë në Universitetin prestigjioz të Harvardit në SHBA, realizuar nga "Klan", shumica e studentëve të intervistuar nuk kishin ndërmend të ktheheshin, të paktën jo në të ardhmen e afërt. Kjo situatë duhet të konsiderohej alarmante e duhej të kishte nisur qëkuri puna për fenomenin e rikthimit të trurit, për t’ia kundërvënë fenomenit aktual, që në anglisht është përcaktuar me një shprehje, e cila shqip tingëllon vërtetë shqetësuese “Rrjedhja e trurit”. Çdo shqiptar e di mirë ç’do të thotë ‘i kanë rrjedhur trutë’. Deri tani një shprehje e tillë përdorej vetëm për njerëzit, tani – fenomen i ri dhe ky – përdoret edhe për vendet në të cilat jo vetëm që mungojë fare politikat për rikthimin e trurit në atdhe, por një rikthim i tillë konsiderohet shqetësues e pengohet me shprehjen, gjithashtu simbolike. “S’kemi nevojë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.