2007-06-22 19:32:46

BE: jo ministër i jashtëm po përfaqësues i lartë


(22.06.2007 RV)RealAudioMP3 Vazhdon pa fund mbledhja e krerëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, për të gjetur një marrëveshje për Traktatin Kushtetues, bazën ligjore mbi të cilën duhet të ngrihet Evropa e Bashkuar e së nesërmes.
Në orën 18, kancelarja gjermane Angela Merkel paraqiti një projekt të ri, me qëllim kapërcimin e vështirësive që nxorri Polonia, me kërcënimin se do të vendoste veton nëse nuk do të ndryshohej sistemi i votimit të dyfishtë, parashikuar nga propozimi i mëparshëm. Probleme pati sot edhe me Britaninë e Madhe, e cila kundërshtoi figurën e ministrit të jashtëm, e cila u la siç është tani, pra me emrin “Përfaqësues i Lartë për politikën e jashtme”, dhe nuk ishte dakord me zgjerimin e kompetencave evropiane në krahasim me ato kombëtare në fushën juridike apo të të drejtave. Tani krerët ndodhen sërish në mbledhje për të diskutuar mbi bocën e re. Por çfarë parashikon ajo? Pyetëm Federiga Bindin, eskperte të çështjeve evropiane dhe titullare e katedrës Zhan Monè në Universitetin Tor Vergata të Romës:
Boca e Gjermanisë po përpiqet të shpëtojë ç’mundet nga ish-traktati kushtetues e, sidomos, mekanizmat institucionale. Pra, po përpiqet të ruajë sistemin e votës në Këshill dhe figurën e ministrit të jashtëm evropian. Këto janë dy gjërat më evidente, pavarësisht se lista e pikave të diskutueshme përbëhet nga 15 argumente.
Polonia dhe Britania e Madhe janë kundër. Përse?
Britania e Madhe është kundër, sepse ka një prirje historike kundër integracionit. Çdo gjë që e rrit integracionin evropian, zakonisht kundërshtohet nga Londra. Përsa i përket Polonisë, kemi të bëjmë me një qëndrim shumë anakronist dhe shumë shqetësues. Polonia i ka kërkuar madje edhe dëmet e luftës Gjermanisë dhe u shty aq, sa të pohojë se sikur të mos kishin qenë nazistët, popullsia polake do të ishte sot më e madhe se ajo gjermane. Prandaj, në bazë të këtij arësyetimi, polakët duhet të kenë më shumë vota në Këshill. Po kjo është absurde.
Mendoni se krerët e Bashkimit Evropian nuk do ta arrijnë marrëveshjen?
Nuk besoj se do të dështojnë, pasi të gjithë kanë shprehur vullnetin për të gjetur një marrëveshje. Mendoj, se do të kemi një traktat më të keq. Sipas meje, do t’i bëhen oferta thelbësore Polonisë. Me të vërtetë, po vihet në dyshim një mekanizëm institucional, që ka sjellë paqe dhe përparim në Kontinent e kjo është e papranueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.