2007-06-22 19:33:01

BE-ja përpiqet të fitojë kohë për Kosovën


(22.06.2007 RV)Liderët evropianë nuk e patën sot në rendin e ditës çështjen e Kosovës, por ajo u diskutua prapa skenës. Nga njëra anë, SHBA-të dhe Rusia kanë konfirmuar qëndrimet e tyre, nga ana tjetër, Bashkimi Evropian dëshiron të shmangë shpalljen e njëanshme të pavarësisë, pasi në atë rast, disa shtete evropiane do të shkonin me Amerikën e do ta njihnin shtetin e Kosovës e disa të tjera jo. Kjo do t’i sillte Brukselit pamundësinë totale për të administruar misionin e vet në Prishtinë, pasi për çdo vendim do të duhej unanimiteti, i cili në këtë rast nuk ekziston. Rezolutat e propozimet për shtyrjen e përcaktimit të statusit, nuk janë aq në favor të Serbisë apo të Kosovës, por janë përpjekje për të fituar kohë, në mënyrë që të gjitha shtetet evropiane të votojnë njëzëri për çështjen.
Sot në mbledhjen e ambasadorëve të Këshillit të Evropës, në Beograd, Serbia, që është presidentja e turnit, bëri thirrje për “një zgjidhje krijuese” të çështjes kosovare. Presidenti Boris Tadiç hodhi edhe një herë poshtë mundësinë e pavarësisë, por nuk sqaroi nga ana tjetër, se cila do të ishte kjo zgjidhje e propozuar nga Beogradi. Dihet vetëm se kryeministri Koshtunica preferon ta dorëzojë më parë këtë pako me propozime në Moskë e më pas ta bëjë të njohur botërisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.