2007-06-21 17:59:00

Papa ROAKO-s: paqja në Lindjen e Mesme të çlirohet nga sëmundja vdekjeprurëse e diskriminimit fetar.


(21.06.2007 RV)RealAudioMP3 Paqja në Lindjen e Mesme të çlirohet nga sëmundja vdekjeprurëse e diskriminimit fetar, historik, gjeografik: për këtë bëri thirrje Benedikti XVI, duke pritur sot paradite në audiencë pjesëmarrësit në takimin dyditor semestral të ROAKOS-ë, siç quhet shkurtimisht Bashkimi i Veprave të Asistencës për Kishat Lindore, që përfundoi dje në Vatikan.
Ati i Shenjtë nënvizoi posaçërisht se Kisha në Irak po i nënshtrohet një martirizimi të vërtetë në emër të Krishtit. E Papa nuk mund të jetë i qetë, në sa në Lindjen e Mesme paqja, aq e pritur, duket ende e largët, në sa vendin e saj e zë dhuna, e cila shpesh degjeneron në luftë pak a shumë të deklaruar deri në atë shkallë, sa të përbëjë një problem të vështirë për Bashkësinë Ndërkombëtare:”Së bashku me secilin nga ju, duke e ndjerë veten të bashkuar me të gjitha Kishat dhe bashkësitë e krishtera, por edhe me ata që nderojnë emrin e Zotit dhe e kërkojnë me sinqeritet, e me të gjithë njerëzit vullnetmirë, dëshiroj të trokas rishtas në zemrën e Hyjit, Krijues e Atë, për t’i kërkuar, me besim të pakufishëm, dhuratën e paqes. Trokas edhe në zemrën e të gjithë atyre që kanë përgjegjësi, që ta kryejnë detyrën e vështirë të sigurimit të paqes për të gjithë, pa dallim, duke e çliruar nga sëmundja vdekjeprurëse e diskriminimit fetar, kulturor, historik e gjeografik”.
Gjatë këtij takimi, Benedikti XVI siguroi edhe një herë se ‘Toka Shenjte, Iraku e Libani janë të pranishëm, me urgjencën e vazhdueshme që meritojnë, në lutjet e në veprimtarinë e Selisë Apostolike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.