2007-06-21 17:59:10

Në audiencën me Katolikosin, Patrikun Mar Dinkha IV, Benedikti XVI i shprehu afërsinë të krishterëve të Irakut, që e dëshmojnë fenë e tyre me çmimin e flijimeve heroike.


(21.06.2007 RV) Situata e vështirë e të krishterëve në Irak dhe impenjimi për një dialog të ri ekumenik, ishin temat kryesore që preku Papa gjatë takimit të sotëm me Mar Dinkhën, Katolikos Patrik i Kishës Asire të Lindjes.
Benedikti XVI uroi një bashkëpunim më të ngushtë baritor ndërmjet bashkësisë katolike e asaj asire, që numron 400 mijë besimtarë. Në vijim, vuri theksin tek rezultatet e arritura nga Komisioni për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike dhe Kishës asire të Lindjes.
Por, mbi të gjitha, Ati i Shenjtë kujtoi të krishterët e trojeve irakiane, që kanë kontribuar aq shumë në përhapjen e Ungjillit e që sot vuajnë shpirtërisht e materialisht. Në Irak – kujtoi Ati i Shenjtë – familjet dhe bashkësitë e krishtera e ndjejnë gjithnjë më shumë presionin e pasigurisë, të agresionit e jo më pak, të braktisjes. Shumë prej tyre nuk shohin asnjë rrugëdalje tjetër, veç largimit nga vendi. Duke shprehur shqetësimin e tij për një situatë të tillë, Ati i Shenjtë u shprehu solidaritetin e tij barinjve e besimtarëve të këtyre trojeve, që vijojnë të qëndrojnë në këto vise, duke paguar një çmim fort të lartë.








All the contents on this site are copyrighted ©.