2007-06-21 18:00:18

Martin Camaj në 82- vjetorin e ditëlindjes.


(21.06.2007 RV)Do të kishte mbushur 82 vjeç, po të ishte gjallë, Martin Camaj, i lindur në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925.
Po e kujtojmë 82-vjetorin e ‘Bariut të madh të fjalëve’ – siç e quan Primo Shllaku në librin “Nji Uliks që s’mbrriti kurr në Itakë”, me një fragment kujtimesh të studentit, studiuesit dhe përkthyesit të tij në gjuhën gjermane, Hans-Joakim Lanksh:
Në nji shkrim të viteve tetëdhjetë, me titull KUTELI ENDE I PAZBULUEM, - vëren Lanksh - Martin Camaj kishte shkrue, ndër të tjera: “Kuteli (…) nuk i përket asnjë rryme letrare (...) Vepra e tij në tanësi mbetet e pazbulueme, nën hijen e vet”:
“Nën hijen e vet mbetet edhe vepra e vetë Camajt. Mbas heshtjes kambëngulëse gjatë tanë periudhës së sundimit të Realizmit Socialist në Shqipni, lexuesit shqiptarë ndigjonin për shkrimtarin, gjuhëtarin dhe nieriun shqiptar kulture Martin Camaj (1925-1992) për herë të parë në vjetët e parë të »tranzicionit«. Dhe, sapo u kujtuen për nji përfaqësues të madh të kulturës shqipe në botën e jashtme, ky ndërroi jetë. Plot habi për asi »kolosi» të kulturës shqipe diku larg trojeve shqiptare e të pa hetuem nga publiku shqiptar, gazetarët, publicistët etj. shkruejshin shumë për tê, sidomos mbas vdekjes së tij të papritun. Më 1996 në Tiranë u botue nji pjesë e madhe e veprës së tij letrare në nji botim të kujdesshëm e serioz. Megjithatê, botimi i pjesës së mirë të veprës letrare të Camajt duket se mbeti pa jehonë të fortë, ashtu si dhe botimet jo të shumta të përkthimeve në gjuhë të hueja. Poezia e Martin Camajt nuk e pushtonte terrenin e antologjive ku, fjala vjen, vargjet e Ismail Kadaresë dhe Ali Podrimjes zënë shumë mâ shumë vend sesa vjershat e Martin Camajt. Në veprat linguistike vazhdoi heshtja për emnin e albanologut Camaj, me ndonji përjashtim të rrallë siç âsht, bie fjala, »Dialektologjia« e Jorgji Gjinarit dhe Gjovalin Shkurtajt. Në periodikun letrar u ripërhapej heshtja e mâparshme.
Nga nji anë, nieriu s'ka qejf për me i ndryshue adetet. Gazetaria dhe publiku lexues ishin të mësuem me ushqim letrar që kapërdihet mâ kollaj dhe jo me poezi sikurse âsht ajo e Camajt – apo e Zef Zorbës a Primo Shllakut – që thotë shumë sepse flet pak. Gjuha e Martin Camajt mund të jetë nji si pengesë tjetër në përceptimin e veprës së tij e cila nga shumëkush apostrofohet si ikonë e lashtë dhe e vyer, por njihet bukur pak. Gjuha e kësaj vepre, ndonëse âsht nji gegnishte mjaft e moderueme, prapëseprapi e ballafaqon lexuesin jo vetëm me pasuninë e pazakontë të frazeologjisë së gegnishtes, por në radhë të parë edhe me jo pak lekseme pak të njohuna a të panjohuna – kjoftë nga leksiku i letërsisë së vjetër shqiptare, sidomos i asaj të arbëreshëve të Italisë, apo kjoftë edhe neologjizma të krijuem nga vetë Camaj.
Nga ana tjetër, Camaj, larg të bamave dhe klaneve letrare shqiptare, nuk e kishte reklamën që e kishin – dhe kanë – »emnat« e takëmit letrar të Shqiptarisë. Camaj nuk ka kênë »disident« zyrtar apo diç tjetër që mund të trumbëtohet nëpër pazaret e vatanit e të botës dhe që mund të profilohesh me tê a të përfitosh prej asaj.


Dromca kujtimesh për Martin Camajn

Çdokush që merret me figurën e shkrimtarit Martin Camaj has në surpriza të cilat janë, në të shumtën e herave, e kundërta e asaj që pritej dhe »dihej« për tê. Personi i Martin Camajt ishte i qetë, paksa timid, i padukë e modest, me plot dinjitet dhe krenari të natyrshme, shpesh ishte ndërdyzash, e kërkonte vetminë. Nga ana tjetër, i njêjti Martin Camaj, djalë bariu nga katundi mbishkodran Temal, e çau rrugën e vet me energji dhe vullnet të rrallë. I ndiqte dhe i diplomonte studimet universitare dy herë, luftonte me kambëngulje derisa ia arriti qëllimit me themelue dhe instalue në Munih profesurën e albanologjisë në kohë kur studime albanologjike universitare përveç në Shqipninë moniste kishte vetëm në Itali, Leningrad dhe SHBA, në kohë kur në Gjermani nuk kishte interesim për kopshtin shkambor të Europës, të panjohun e të bllokuem në aventura ekzotiko-groteske të nji diktature të luejtun mendsh.
Me gjithë dëshirën e tij për qetësi, Martin Camaj nuk mund të rrinte i ngujuem në izolim, i nevojiteshin kontakte të shumta me nierëz – me shokë, kolegë, bashkatdhetarë. Nji pjesë të mirë të kohës së tij i kushtonte letërshkëmbimit të gjanë dhe kohës së telefonave. Ai ishte, në të vërtetë, Njeriu më vete dhe me tjerë siç e thotë titulli i përmbledhjes së tij qendrore poetike.
Dihet se në Shqipninë e pjesës së dytë të shekullit XX kishte nierëz që hidhnin poshtë çdo mendim kritik për veprën e vet tue potencue se kênkan autorë »me famë botërore«. Ja, cili ishte qëndrimi i Martin Camajt. Autori i këtyne rreshtave, si student, kishte fatin e bardhë me mësue shqipen nga Martin Camaj. Nji ditë prej ditësh, gjatë pushimit dhetëminutash mes dy kursesh, tue u shëtitë në korridor para auditorit dhe tue bisedue për çkamos, profesori e pyeti studentin – me çka merreni në kohën e ngesë? Kur ky tha se me përkthimin e poezisë, Martin Camaj tha – punë interesante. Mbas nji pauze shtoi, me zâ të ulët – unë shkruej. Mbas nji pauze tjetër, studentit të shastisun i tha – jam shkrimtar shqiptar.
Martin Camaj ishte bashkëbisedues për mrekulli. Në radhë të parë, ai dinte ende artin pothuej të shuem me ia vû veshin tjetrit. Nuk mbahej si profesor, por si mik“.
Kaq na lejon koha të flasim për gjeniun Camaj, nga vepra e të cilit shkëputëm poezinë “Diptik”:RealAudioMP3
Ishte koha me kthye andej kah erdha
te zanafilla dhe e mbylla librin
si mbyllen dý flegra dritaresh
dhe më doli para kuadri diptik
i thyem midis prej një kurrizorje
ashti njeriu

dhe në tê pasqyra e jetës ndá përgjysë
poezí në dy fletë ku çdo fjalë rrinte
në shërbim t'idesë ”palimpsest”.







All the contents on this site are copyrighted ©.