2007-06-21 17:59:41

Kontributi i Polonisë për identitetin e krishterë të Evropës: intervistë me kardinalin Bertone, që sapo është kthyer nga një udhëtim në tokën e Papës Vojtila.


(21.06.2007 RV)RealAudioMP3 Kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, sapo është kthyer nga Polonia, ku këto ditë mori pjesë në Takimin VII të Gnjeznos me temë: “Njeriu, rruga e Evropës: si ta bëjmë botën tonë më njerëzore”. Në këtë takim, që u mbajt më 15 deri më 17 qershor, morën pjesë drejtues të 250 organizatave të krishtera nga mbarë Evropa. Gjatë udhëtimit, kardinali Bertone vizitoi edhe dy qytete të tjera polake: Gdanskun e Svidnicën. Sapo u kthye në Romë, i dha Radios sonë një intervistë të gjatë, përmes së cilës na njeh me rezultatet e këtij udhëtimi:
Përgjigje: - Isha i ftuar të mbaja – në një farë mënyre, fjalimin e hapjes së këtij Takimi në të cilin, siç u tha me të drejtë, merrnin pjesë përfaqësues të shumë organizatave të krishtera, e jo vetëm katolike, por edhe të konfesioneve të tjera fetare. Ishte i pranishëm edhe ndonjë mysliman. Unë fola për njeriun, si udhë e Evropës dhe paraqita një vizion antropologjik tipikisht të krishterë, duke kujtuar pohimin e madh të Papës Gjon Pali II, që ka thënë se njeriu është udha e Kishës, njeriu në përgjithësi, pra, çdo njeri, për shkak se Biri i mishëruar i Hyjit u bashkua me çdo njeri. Fola për vizionin, për planin njeri sipas Hyjit, sepse burri e gruaja u krijuan sipas ngjashmërisë e shembëlltyrës së Hyjit. Pasditen e ditës së parë u organizua një tryezë e rrumbullakët e përfaqësuesve të konfesionve të ndryshme të krishtera, ku u fol pikërisht për njeriun-shembëlltyrë e Zotit. Nuk duhet ta përçudnojmë, nuk duhet ta harrojmë këtë identitet të veçantë të njeriut. Fola edhe për sfidat që i kundërvihen antropologjisë njerëzore e kristiane nga bota moderne, posaçërisht nga shkenca. Fatkeqësisht problemet kryesore nisin në fillim të jetës së njeriut e në përfundim të saj e vijnë kryesisht përmes biogjenetikës, përmes manipulimeve gjenetike, që e shkatërrojnë, që e manipulojnë njeriun, duke mos e bërë subjekt personal e të denjë për respekt të plotë e nderim të plotë, por objekt eksperimentimi. Në referatin tim u ndalova pikërisht mbi këtë problematikë e dhashë edhe këshilla, që shkenca moderne të krijojë lidhje të fuqishme e të përhershme me etikën e me planin e Zotit: shkencë e fe, shkencë e etikë.
Pyetje: - Pas etapës së Gnjeznos, ju e vijuat udhëtimin edhe në vise të tjera të Polonisë….Përgjigje: - Po, shkela edhe në dy qytete të tjera shumë simbolike: në Gdansk, qytet nga i cili nis pushtimi i Polonisë, e mund të themi se me të nis edhe Lufta II Botërore në vitin 1939; shkova edhe në qytetin e vogël të Svidnicës, dioqeza e fundit e krijuar nga Gjon Pali II në Poloni. Në Gdansk kremtova Meshën, e pikërisht në Gdansk-Zaspa, siç quhet sheshi i madh, ku Gjon Pali II kremtoi Meshën me punëtorët e Gdanskut më 1987, 20 vjet më parë. Ishte i pranishëm edhe Valesa, themelues i Solidarnoshit - kujtojmë se në Gdansk u organizua manifestimi i madh, i mirënjohur i Solidarnoshit përballë kantierit detar. Të gjithë ne - më të moshuarit, jemi dëshmitarë të kësaj proteste guximtare të punëtorëve të Gdanskut. Shkova për t’u lutur pikërisht para tre Kryqave, që u kujtojnë të gjithëve flijimin e dyzet punëtorëve. Kthesa e Solidarnoshit shënoi rindërtimin moral të popullit polak, që iu përgjigj thirrjes për të qenë i lirë, për të qenë popull më vete e jo skllav, herë i rusëve e herë i gjermanëve, por me identitetin e pavarësinë e vet. Kremtova Meshën përballë përfaqësuesve të botës së punës dhe mbajta një homeli, në të cilën fola kryesisht për temën e punës, duke rikujtuar mësimet e Gjon Pali II. Në takimin e Gnjeznos ishte i pranishëm edhe presidenti i Republikës polake, ndërsa në Gdansk, natyrisht, ishte i pranishëm Valesa, së bashku me krerët kryesorë të Solidarnoshit. Isha, më pas, në Svidnica, një dioqezë relativisht e vogël, me 600 mijë banorë, ku u takova plot entuziazëm posaçërisht me të rinjtë, me botën rinore të zonës, me të cilët kujtuam dashurinë e misionin që u ka përcjellë Gjon Pali II, posaçërisht përmes Ditëve botërore të rinisë. Kremtova, më pas, në katedrale, një Meshë të jashzakonshme, me një pjesëmarrje të gjërë të popullsisë.RealAudioMP3
Pyetje: - Hirësi, si e gjetët Poloninë. Gjetët një Poloni katolike, si ajo që mblidhej rreth Gjon Palit II, apo një vend që po shekullarizohet, si shumë vende të tjera të lindjes?
Përgjigje: - Duhet të them se Polonia që takova unë në qytete të ndryshme, është Poloni besimtare, Poloni e karakterizuar nga një fe e fortë popullore: prandaj edhe përfaqësuesit e zonave të ndryshme ishin veshur me kostumet karakteristike, të pasura me simbole të identitetit të tyre lokal, por edhe të besimit fetar e të devocioneve të tyre të veçanta. Një popullsi që këndon e lutet një zëri! Të mrekullon pjesëmarrja e të rriturve, krah për krah me të rinjtë. Duhet të them edhe se nuk gjeta nji vend që vuan nga dimri demografik i Evropës, për të cilin ka folur Benedikti XVI: ishte përplot me fëmijë; e pikërisht në etapën e fundit, në një lokalitet të vogël, gjeta një numër të madh fëmijësh, madje edhe një bandë muzikore të përbërë prej fëmijësh, që i mbushi me tinguj gazmorë takimet tona. Gjithnjë në etapën e fundit, u takova me 1. 550 të sëmurë të shoqëruar nga 4. 000 samaritanë të mirë, që kujdesen për ta. U njoha me nisma të shumta, nga më të ndryshmet, të frymëzuara nga urdhëri ungjillor i bamirësisë, që venë në jetë ftesën e Krishtit “shkoni e mjekoni të sëmurët”. Edhe kjo flet për një Poloni plot gjallëri, për një Poloni plot fe e nisma bamirëse. Të rinjtë – i takova edhe ata: ishin të pranishëm në takimet e ndryshme që kujtova më lart, por edhe në Gnjezno. Të rinj të përgatitur edhe profesionalisht! Në dioqezën e Svidnicës pashë të rinj plot entuziazëm, që më kujtuan Ditët botërore të rinisë. Ishte takimi i parë që bënte dioqeza me të rinjtë e, natyrisht, unë u përpoqa t’u them pak fjalë në gjuhën polake; bëra të çmos të parapërgatitesha, për t’i ngjarë Papës sonë Benedikti XVI. Ishin plot entuziazëm e vullnet të mirë edhe për realizimin e projekteve të edukimit fetar, për t’u bërë dëshmitarë sa më bindës të fesë së krishterë. Takova edhe seminaristë të dioqezeve të ndryshme, me të cilët pata një dialog shumë të frytshëm. Duhet të them se seminaret janë ende shumë të pasura me thirrje të reja meshtarake e rregulltare, në ndryshim nga seminaret tona të Evropës perëndimore.
Pyetje: - Kalojmë tani në një çështje tjetër, në lidhjen ‘Poloni-Evropë’. Hirësi, a mund të flitet për një thirrje të veçantë të Polonisë në Bashkimin Evropian?
Përgjigje: - Besoj se po. Madje besoj se këto vende, vendet e perandorisë së vjetër sovjetike, vende me traditë të thellë, të rrënjosur e të pashlyer kristiane, kanë të gjitha një vokacion të madh në Evropën e sotme, në këtë Evropën tonë, që ka dredhuar paksa nga zanafilla e vet e nuk i ka sa duhet parasysh rrënjët e veta të krishtera. Mora vesh se Sarkozì ka shkuar në Evropë e shoh se edhe Franca po ndryshon orientim e qëndrim edhe lidhur me këtë temë. Kjo është gjë e bukur, sepse një laicitet i shëndoshë mund të jetë në përkim të plotë me pranimin e rrënjëve, të zanafillës e të identitetit të krishterë të Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.