2007-06-20 17:29:39

Nga takimi i ROAKO-së, thirrje për të ndihmuar të krishterët në Irak e në Turqi.


(20.07.2007 RV)RealAudioMP3 Sot në Vatikan përfunduan punimet e takimit dyditor semestral të ROAKOS-ë siç quhet shkurtimisht Bashkimi i Veprave të Asistencës për Kishat Lindore. Sivjet në qendër të vëmendjes ishte Lindja e Mesme: të krishterët irakianë, Turqia e Toka Shenjte, vende gjithnjë të rrezikuara nga konfliktet. Por në plan të parë ishte diskutimi mbi mundësitë për t’i ndihmuar të krishterët e Irakut, që sot ndodhen në gjendje vërtetë të vështirë, gjë që e shtyu Patrikun Emanueli III Deli të ngrejë me forcë zërin, për të tërhequr vëmendjen e mbarë botës drejt vendit ku secili lufton për interesat personale e ku vijon persekutimi i mirëfilltë i të krishterëve, fare të pambrojtur
Ta dëgjojmë këtë thirrje të Patrikut të Bagdadit, që i drejtohet çdo të krishteri, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
“U kërkoj të gjithëve të luten për ne e të bëjnë ç’të munden për të zgjuar vetëdijen e botës, por veçanërisht u bëj thirrje Konferencave ipeshkvnore të mbarë botës, t’i ndihmojnë irakianët. Pra këtë kërkoj: lutje e zgjim të ndërgjegjeve, për të mbrojtur të drejtat e njeriut të sivëllezërve në Irak. Ne e kemi kryer detyrën tonë ndaj atdheut. Irakut, por tani ka ardhur koha të kërkojmë respektimin e të drejtave tona. Secili nga ne ka përgjegjësi para Zotit për të mbrojtur vëllaun, e jo vetëm në këndvështrimin e fesë së cilës i përket, por edhe duke e parë si bir të Zotit. Për këtë ngre zërin, me dëshirën që ta dëgjojë mbarë bota, ta dëgjojnë të gjitha institucionet e OKB-së, të BE-së, të Këshillit të Sigurimit, të FAO-s, që edhe ata të bërtasin sa të dëgjojë mbarë bota e të mësojë kështu se irakianëve duhet t’u respektohen të drejtat, të gjithë irakianëve, myslimanëve e të krishterëve, sepse sot këto të drejta në Irak nuk respektohen”.
E britma e Patrikut Emanuel III Deli nga Roma, na kujton se situata është e vështirë jo vetëm për të krishterët e Irakut, por edhe për ata të Turqisë, siç shpjegoi sot, gjatë diskutimit të tij në takimin e ROAKO-së, kryeipeshkvi i Izmirit, Smirnës së lashtë, imzot Rugjero Françeskini, kryetar i Konferencës ipeshkvnore turke:
“Është një situatë - si të themi- pak e keqësuar. Pas vizitës së Benediktit XVI u krijua një farë atmosfere miqësore, u forcuan lidhjet; por tani, duke u afruar zgjedhjet për parlamentin dhe presidentin e Republikës, që do të mbahen më 22 qershor, klima është ngarkuar përsëri me tension, aq sa të arrihet edhe në ndeshje fizike. Ne urojmë që vendi të gjejë një vijë laike, e cila pranon e respekton të gjitha entitetet fetare të pranishme në Turqi. Por nuk mund të themi se nuk ndjehet rreziku i fondamentalizmit islamik, fanatizmi më i keq, në sa nuk mund të fshihet edhe një rrezik tjetër, ai i mundësitë së një grushti shteti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.