2007-06-20 18:15:21

Kosovë: OKB-ja boca e rezolutës në Këshillin e Sigurimit


(20.06.2007 RV)SHBA-të dhe vendet evropiane i kanë ofruar Rusisë një shtyrje 4-mujore për shpalljen e statusit të Kosovës, në një projektrezolutë, e cila që sot po shqyrtohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Dokumenti, i ndryshuar në krahasim me tekstin e hartuar mbi planin e Ahtisarit, parashikon që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun t’i ftojë liderët serbë dhe kosovarë të ulen në tryezën e bisedimeve edhe për 4 muaj të tjerë. Në përfundim të tyre, nëse nuk merret një vendim i ndryshëm nga OKB-ja, do të zbatohet menjëherë plani i Ahtisarit.
Nuk është e qartë se cili do të jetë qëndrimi i Rusisë mbi tekstin e paraqitur sot. Duket e vështirë që Moska, aleate tradicionale e Serbisë, të pranojë tekstin e ri, i cili nuk ushtron ndonjë presion të madh mbi kosovarët, për t’i detyruar t’ju kthehen negociatave.
Presidenti amerikan Xhorxh Bush pati shpresuar se marrëveshja për statusin e Kosovës do të arrihej para takimit me presidentin rus, Vladimir Putin më 2 korrik në Kenenbunkport në Maine. Sipas burimeve amerikane, Kremlini luan me karta të fshehura e nuk është e qartë nëse do të përdorë veton në Këshillin e Sigurimit.
Ndërkaq, zv.kryeministri rus Medvedev deklaroi sot në Romë se Rusia nuk mund të pranojë çdo lloj opcioni në bisedimet për Kosovën. "Mendimi im është se Evropa është shumë e vogël për eksperimente politike. Çdo marrëveshje për statusin e një shteti evropian duhet të ketë parasysh interesat e të gjitha palëve" tha Medvedev, duke përsëritur qëndrimin e Moskës pro konsensusit serbo-kosovar mbi statusin e Kosovës.


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do të marrë pjesë në samitin e bashkëpunimit energjitik të Ballkanit, që mbahet në Zagreb më 24 qershor. Gjatë samitit presidenti rus do të ketë takime dypalëshe me zyrtarë të lartë kroatë dhe të vendeve pjesmarrëse. Në takim do të marrin pjesë edhe Shqipëria e Serbia.







All the contents on this site are copyrighted ©.