(20.06.2007 RV)U kremtua sot Dita
Botërore e Refugjatit, në një situatë kur numri i refugjatëve në botë është rritur
relativisht, sipas statistikave të Komisariatit të OKB-së për Refugjatët, dhe kur
të drejtat e azilantëve dhe të atyre që kërkojnë strehim politik nëpërkëmben. Sekretari
i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun deklaron në mesazhin e sotëm se
“personat që largohen nga toka e vet kanë nevojë për strehim dhe mbrojtje juridike”,
por ashpërsimi i politikave të emigracionit në vendet e pasura të botës nuk merr parasysh
vuajtjen e tyre. Historitë më dramatike të rreth 10 milion refugjatëve në botë
fillojnë në Irak, Afganistan, Sudan e Somali. Njerëz, që të shtyrë nga luftëra, varfëri,
fatkeqësi natyrore lënë mbrapa shtëpinë dhe të dashurit e tyre me shpresën e një jete
më të mirë. Sot, Komisariati i OKB-së për Refugjatët flet për intolerancë ndaj tyre,
një sjellje ksenofobe që i mënjanon ata nga shoqëria dhe e bën të vështirë integrimin
në vendin pritës. Ndarja ndërmjet refugjatit dhe emigrantit është bërë shumë
e vështirë, në një kohë kur edhe fatkeqësitë natyrore, edhe mundësia për të mos jetuar
denjësisht në vendin e vet, do t’u jepte njerëzve të drejtën të kërkonin strehim në
një vend tjetër, siç kanë theksuar gjithnjë etërit jezuitë me Shërbimin e tyre ndaj
Refugjatëve. Po të marrim rastin e Shqipërisë, rreth 30% e popullsisë është larguar
nga toka amtare, sipas një studimi të Organizatës Botërore për Migracionin në bashkëpunim
me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Shumica e atyre
që duan të emigrojnë i përkasin moshave 20-24 vjeç dhe 15-17 vjeç. A do të vijë dita
që Shqipëria të ankohet për mungesën e rinisë, e pra edhe të krahëve të punës, apo
të inteligjencës së shkolluar? Qeveria shqiptare, për momentin, i ka kushtuar rëndësi
vetëm hartimit të një politike që të rregullojë flukset e emigracionit drejt vendeve
fqinje e tani po mendon për mbrojtjen shoqërore të emigrantëve shqiptarë kudo nëpër
botë. Natyrisht, përgjigjia ndaj pyetjes që shtruam vjen me një politikë të qëndrueshme
për thithjen e kuadrove që studiojnë jashtë shtetit dhe me krijimin e kushteve për
kthimin e emigrantëve, por deri tani largpamësia e politikanit shqiptar nuk shkon
më gjatë se legjislatura në të cilën është zgjedhur.