2007-06-19 18:15:33

Qipro mund të jetë vendtakimi i Benediktit XVI me Aleksejn II.


(19.06.2007 RV)“Edhe Qipro mund të jetë një vend i përshtatshëm takimi, në se Papa dhe Aleksej II do të vendosnin të takoheshin në një fushë asnjanëse, pra as në Moskë e as në Romë”. Kështu u shpreh kreu i Kishës ortodokse të Qipros, Krizostomi II, duke u takuar me gazetarët në përfundim të vizitës së tij gjashtëditore në Vatikan e në Romë. Në korrikun e ardhshëm Kryepeshkopi qipriot do të shkojë për vizitë në Moskë, për t’u takuar me Aleksejn II e për të dhënë ndihmesën e vet në afrimin e Kishës katolike me Kishën ortodokse. “Jemi të gatshëm për të gjetur rrugëzgjidhjen më të përshtatshme – pohoi Fortlumturia e Tij lidhur me takimin e mundshëm kishtar të rangut të lartë ndërmjet Benediktit XVI e Aleksejt II. Shpresoj – shtoi Krizostomi II, se do të arrijmë në një përfundim pozitiv. Nuk e dimë akoma në se prijësit e dy Kishave do të vendosin të takohen e ku. Në se nuk u duket e përshtashme as Roma e as Moska, vendi i takimit mund të jetë edhe Qipro.
Pyetjes në se Papa Racinger është më i mirëpritur nga bota ortodokse, sesa paraardhësi i tij, Krizostomi II iu përgjigj: “Papa aktual është teolog i madh, që njeh në mënyrë të përkryer jo vetëm teologjinë katolike, por edhe atë ortodokse. Jemi të bindur – shtoi - se dëshiron t’i afrojë dy Kishat e se i njeh hollësisht problemet që presin zgjidhje. Të gjithë papët e kohëve të fundit kanë kontribuar për afrimin ekumenik, por është e qartë se me Benediktin XVI afrimi është shumë më i lehtë se me çdo papë tjetër. Gjithsesi nuk duhet harruar – vijoi Fortlumturia e Tij – se dialogu nuk varet vetëm nga Papa, sepse rreth tij është Kuria Romake, ashtu si rreth Aleksejt II janë sinodi e bashkëpunëtorët e tjerë, që punojnë për strategjinë e përbashkët. Kryepeshkopi foli edhe për hapat e rëndësishme përpara në drejtim të bashkimit të plotë të të krishterëve, që janë bërë pas njëmijë vjet ndarjeje. Lidhur me një ndalesë të mundshme në Qipro, gjatë shtegtimit që Papa dëshiron të bëjë në Jeruzalem, Kryepeshkopi ortodoks saktësoi se nuk bëhet fjalë ende për data të caktuara, por se për Qipron vizita e Papës do të ishte “bekim i madh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.