Ahtisari: Rusia do të përdorë veton e Kosova do të vetëshpallet e pavarur
(19.06.2007 RV)Në një intervistë për televizionin finlandez YLE, kryenegociatori
për Kosovën, Marti Ahtisari cakton rrugën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë,
si mënyrë përcaktimi për statusin e Kosovës. Ai mendon se pavarësia do të njihet brenda
vitit 2007 nga SHBA-të dhe disa shtete evropiane. Ahtisari nuk ka dyshim se Rusia
do të përdorë veton kur çështja do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit. Ndërkaq,
nga Greqia ku ka takuar homologen Dora Bakojanis, ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç
deklaron se qeveria e Beogradit është gati të ulet në një tryezë bisedimesh për t’i
dhënë Kosovës autonominë më të zgjeruar që është e mundur, por jo pavarësinë. Idetë
e reja përfshihen në një plan, që Serbia i ka dorëzuar Rusisë dhe që do të bëhet i
njohur së shpejti. Këto ide u shprehën një ditë pas qëndrimit të kryeministri kosovar
Agim Çeku, i cili përjashtoi mundësinë e bisedimeve të reja me Serbinë dhe të ndryshimeve
në planin e Ahtisarit.
Karla del Ponte, kryeprokurorja e Gjykatës së
Hagës ka bërë një raport pozitiv për marrëdhëniet me Serbinë në Këshillin e Sigurimit
dhe ka kërkuar që të shtyhet vendimi për statusin e Kosovës. Sipas Del Pontes, caktimi
i tanishëm i statusit do të kompromentonte përpjekjet e bëra për të përmirësuar bashkëpunimin
me Beogradin. Ndërkaq, gjenerali i policisë serbe, Vlastimir Gjorgjeviç doli sot
para Gjykatës së Hagës, por fitoi kohë duke kërkuar 30 ditët që i takojnë me ligj
për të gjetur një avokat mbrojtës. Gjorgjeviç akuzohet për krime kundër njerëzimit,
që kanë të bëjnë me urdhërat e dhëna prej tij për vrasjen e civilëve shqiptarë në
Kosovë në vitet 1998-99.