2007-06-19 17:56:44

75 viktima në Irak e lajme të tjera


(19.06.2007 RV)Atentat i tmerrshëm në Bagdad kundër një xhamie shiite, ku ishin grumbulluar shumë njerëz në lutje. Një kamion bombë shpërtheu duke shkaktuar 75 viktima e 200 të plagosur, në një bilanc që nuk është përfundimtar. Ndërkaq në Irak, forcat ushtarake amerikane kanë filluar sot një ofensivë të jashtëzakonshme kundër Al Kaidës. Operacioni përfshin 10 mijë ushtarë dhe është një nga më të mëdhenjtë që nga fillimi i ndërhyrjes në Irak, në vitin 2003. Deri tani, janë vrarë 22 terroristë. Dhunë edhe në jug. 35 vetë kanë vdekur gjatë ndeshjeve në Nasirija.

Në një zonë tjetër të nxehtë të globit, në Afganistan, së paku 10 civilë, 4 policë e mëse 60 talebanë janë vrarë gjatë ndeshjeve të ashpra në ditët e kaluara në provincën e Uruzganit. Njoftohet se talebanët kanë pushtuar një lagje në provincën e Kandaharit. Ndërkaq, agjensia Akbar, ku bëjnë pjesë organizata jo qeveritare afgane dhe të huaja, akuzon forcat e koalicionit se që nga fillimi i vitit kanë vrarë 230 civilë, ndër të cilët 60 janë gra e fëmijë. Nga ana tjetër, televizioni amerikan ABC Njus ka transmetuar një video ku shihen rreth 300 ushtarë të rinj të Al Kaidës, që stërviten për të kryer atentate në SHBA dhe në Evropë.

Partia Al Fatah e presidentit palestinez Abu Mazen ka ndërprerë sot çdo lloj marrëdhënieje me Hamasin, lëvizjen islamike që kontrollon Rripin e Gazës. Komiteti qendror i partisë ka deklaruar se kjo ndërprerje do të vazhdojë derisa Hamasi t’i japë fund puçit të shtetit në Gazë. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Ehud Olmert do t’i kërkojë po sot presidentit amerikan Xhorxh Bush të izolojë Hamasin dhe të forcojë qeverinë e presidentit palestinez Abu Mazen.







All the contents on this site are copyrighted ©.