2007-06-18 17:21:44

Ministrat e jashtëm të BE-së: zgjidhje e shpejtë për Kosovën


(18.06.2007 RV)Statusi i ardhshëm i Kosovës “ka nevojë për një zgjidhje të shpejtë”: kështu pohuan sot ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në notën përfundimtare të miratuar nga Këshilli i Luksemburgut.
Ministrat përsërisin mbështetjen ndaj planit të Ahtisarit dhe kërkojnë që zgjidhja të gjendet brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bashkimit Evropian, vihet në dukje në notë, i duhet patjetër një rezolutë ndërkombëtare që të shërbejë si bazë për misionin e ardhshëm të Brukselit në Prishtinë, por detajet e manovrave të mëtejshme dipllomatike do të përcaktohen në darkën e së enjtes, gjatë mbledhjes së krerëve të shteteve e të qeverive evropiane.
Kohët e fundit, po përhapet gjithnjë e më tepër mendimi i miratimit të një rezolute të OKB-së, që të parashikojë një pauzë reflektimi dhe t’u japë kohë palëve të kryejnë një xhiro tjetër negociatash. Agjensitë e lajmeve njoftojnë se nëse këto bisedime të reja nuk do të sjellin rezultate, Këshilli i Sigurimit duhet të kthehet tek plani i Ahtisarit.

Ndodhet tashmë në Hagë, gjenerali i policisë serbe Vlastimir Gjorgjeviç, i akuzuar për krime të kryera në Kosovë. Ai u arrestua dje në Malin e Zi, me një operacion të përbashkët të policisë serbo-malazeze në bashkëpunim me Gjykatën e Hagës. Është eksponenti i dytë që arrestohet dhe i dorëzohet Hagës, në një periudhë tri javore, shenjë e qartë e dëshirës së Beogradit për t’i treguar Bashkimit Evropian se po bashkëpunon me kryeprokuroren Karla del Ponte.







All the contents on this site are copyrighted ©.