2007-06-18 17:29:22

Lirohet atë Hani në Irak e lajme të tjera


(18.06.2007 RV)Në Irak, forcat e koalicionit kanë vrarë 20 kryengritës gjatë orëve të fundit. Milicët ishin të përfshirë në kontrabandën e armëve me Iranin. Ndërkaq, në Bagdad u lirua pas 12 ditësh, atë Hani Abdel Ahad, siç konfirmon për agjensinë komboniane Misna, imzot Shlemon Varduni, ipeshkëv ndihmës i Bagdadit. Fatkeqësisht, rrëmbimi i priftërinjve katolikë në Irak bëhet thjesht për qëllime fitimi, e nga kjo pikëpamje, asgjë nuk ka ndryshuar për të krishterët. Shumë zona të vendit po bëhen tepër të rrezikshme për ta, duke i detyruar të largohen e të mërgojnë në vende të tjera. Kërcënimet me vdekje nuk mungojnë as për ata myslimanë që mundohen të ndihmojnë të krishterët.


Bashkësia ndërkombëtare shqetësohet për ngjarjet e fundit në Afganistan, ku gjatë një sulmi kundër një xhamie, humbën jetën 7 fëmijë. Sipas shpjegimit të komandës amerikane, sulmi u bë pas lajmeve të njëpasnjëshme se në xhami ishin strehuar terroristë të Al Kaidës, të cilët për fat të keq, i kanë përdorur fëmijët si mbrojtje. Ndërkaq, më 2 e 3 korrik, do të zhvillohet në Romë një konferencë mbi shtetin ligjor në Afganistan, ku do të flitet për reformën e drejtësisë.


Surprizë, turni i ballotazhit në zgjedhjet legjislative të Francës. E djathta e presidentit Nikolas Sarkozì fiton, por jo aq sa mendohej, madje humb rreth 60 vende në parlament në krahasim me të mëparshmin. E majta, që shpresonte vetëm të ruante 149 vendet e veta, në të vërtetë kapërcen 200-shin. Në ballotazh ka humbur ministri i ekologjisë, Alan Zhypè, i cili ka dhënë dorëheqjen.
 
“Afrika për jetën. Pa dënim me vdekje”. Me këtë parrullë u mblodh sot në Romë Konferenca II ndërkombëtare “Afrika for life”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Evropa është kontinenti i parë pa dënim me vdekje, por ajo që po bën hapa të shpejtë përpara në këtë drejtim është pa dyshim, Afrika. 14 vende afrikane e kanë hequr dënimin me vdekje, ndërsa 24 nuk e zbatojnë më që prej 10 vjetësh. Po sot, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje për paraqitjen e projektrezolutës mbi pezullimin e dënimit me vdekje në të gjithë botën, në sesionin vjeshtor të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së.







All the contents on this site are copyrighted ©.