Lindja e Mesme dhe Traktati evropian në tryezën e ministrave të jashtëm në Luksemburg
(18.06.2007 RV)Të kthehemi tek mbledhja e ministrave të jashtëm evropianë në
Luksemburg, e cila është përgatitore për mbledhjen e krerëve të shteteve e të qeverive,
të enjten e të premten. Përveç çështjes së Kosovës, temat e tjera të nxehta në rendin
e ditës ishin Lindja e Mesme dhe Traktati Kushtetues evropian. Ministrat shprehën
mbështetjen politike dhe financiare evropiane për ekzekutivin e ri palestinez të kryesuar
nga Salam Fajad, duke e quajtur kështu të ligjshëm vendimin e presidentit Abu Mazen
për të shpërndarë qeverinë e mëparshme. Meqë mungon organizata islamike Hamas në ekzekutivin
e ri, edhe Bashkimi Evropian, ashtu si SHBA-të ka ndërmend të heqë embargon e vënë
në mars 2006, kur Hamasi erdhi në pushtet. Nesër parashikohet që të shpallet hapur
ndihma prej 1,5 milion eurosh për popullsinë e Gazës. Përsa i përket Traktatit
Kushtetues, rezultati i diskutimeve ndërmjet ministrave nuk është i mirë. E pohon
vetë ministri i jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer, i cili kërcënoi sot se
nëse në samitin e të enjtes e të premtes nuk do të gjendet një marrëveshje, të gjithë
do të humbin, si Bashkimi Evropian, ashtu edhe çdo shtet anëtar marrë veç e veç. Është
shpërndarë një dokument jo formal franko-spanjoll, i përbërë nga dhjetë pika, që konsiderohen
të patjetërsueshme nga 18 vendet e para, themeluese të Bashkimit Evropian. Është hequr
dorë nga emërtimi i traktatit si “kushtetues” dhe nuk do të ketë një himn e një flamur
të përbashkët, por mbetet sistemi i mazhorancës së dyfishtë (55% e shteteve dhe 65%
e popullsisë) për çdo vendim që merret, kundër të cilit mban gjithnjë të njëjtin qëndrim
negativ, Polonia.