2007-06-17 17:41:13

“Gjithçka niset nga Hyji e kthen tek Hyji” – Ati i Shenjtë thekson mesazhin e Shën Françeskut në takimin me klerin e rregulltarët.


(17.06.2007 RV)RealAudioMP3 Pasdite, në katedralen e Shën Rufinit, Ati i Shenjtë u takua me klerin e me rregulltarët, me të cilët reflektoi kryesisht për kthimin e Shën Françeskut dhe për detyrat kryesore të jetës së tyre rregulltare. Si u kujtoi se kthimi i parë i Shenjtit fillon me dhuratën e Pagëzimit, i porositi të tregojnë vëmendje të posaçme për përmasën e Sakramentit fillestar të krishterë në rrugën e shenjtërisë.
“Miliona shtegtarë kalojnë nëpër këto rrugë, të tërhequr nga karizma e Shën Françeskut – kujtoi Papa - dhe në vijim nënvizoi se këta njerëz duhen ndihmuar të kuptojnë atë që është themelore për jetën e krishterë e të synojnë majën e saj më të lartë, shenjtërinë. Nuk mjafton ta admirojnë Françeskun: përmes tij duhet të takojnë Krishtin, për ta dëshmuar pastaj, e për ta dashur me “fe të fortë, shpresë të sigurtë e përvujtëri të plotë” siç lutej Françesku para të Kryqëzuarit.
Më pas, duke krahasuar fenë e Shenjtit me fenë e të krishterëve të kohës sonë, Papa vërejti se besimtarëve të sotëm u duhet të përballojnë një situatë në të cilën ndjehet fort prirja për të pranuar një Krisht të zvogëluar, që admirohet për humanitetin e jashtzakonshëm, por nuk pranohet në misterin e thellë të hyjnisë së tij. Edhe vetë Shën Françesku pësoi një fare gjymtimi, kur nisi të merrej me kënaqësitë e kësaj bote, duke harruar rrugën më të mirë, atë që do të bëhej zemra e jetës së tij, Krishtin. Prandaj në Azisi ndjehet nevoja për një vijë baritore, nga e cila duhet të përftojnë sa më shumë të gjithë ata që jetojnë e kalojnë nëpër këtë tokë hiri, në të cilën flasin edhe gurët, duke i përcjellë kalimtarit mesazhin e paqes e të mirësisë – theksoi Benedikti XVI, për të vijuar pastaj, me kujtimin e lidhjes së ngushtë të Gjon Palit II me Qytetin e Shën Françeskut, i cili u bë edhe më i njohur në mbarë botën si Qytet i dialogut e i paqes e që prandaj nuk duhet ta harrojë kurrë çka ishte themelore në përshpirtërinë e Shenjtit:
“Për Françeskun gjithçka niset nga Hyji e kthehet tek Hyji. Lavdërimet e tij drejtuar të Tejetlartit Zot, na zbulojnë një shpirt të rrëmbyer në dialogun me Trininë Shenjte, që lidhet ngusht me Krishtin në Eukaristi” – tha Papa, e në vijim kujtoi se edhe lidhja e Shenjtit me natyrën s’është tjetër, veçse kundrim i Krijuesit në bukurinë e krijesave. Deri urimi i tij për paqe, merr formën e lutjes: “Zoti të dhëntë paqe”, sepse Françesku është njeri që jeton për të tjerët, pra, njeri i Zotit. Ta ndash përmasën horizontale të mesazhit të tij, nga ajo vertikale, do të thotë ta tjetërsosh Shën Françeskun.
Duke ua paraqitur Shenjtin si shembull përherë aktual, që meriton të ndiqet, Papa u kërkoi klerikëve e rregulltarëve të Asizit ta kumtojnë fenë e krishterë në atë lartësi që kërkojnë sfidat e botës së sotme e në unitet të plotë me Kishën universale. Vizita e Benediktit XVI në Asizi përfundoi në bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, ku Papa u gjunjëzua në kapelën e Porciunkolës e pastaj u takua me të rinjtë në sheshin para bazilikës madhështore, takim i rëndësishëm, që meriton shumë më tepër hapësirë, nga sa na lejon emisioni i sotëm. Prandaj për këtë takim, që nisi me kujtimin e ‘Legjendës së tre shokëve’, e cila na kujton menjëherë të rinjtë e ditëve tona, të rrezikuar për të humbur rrugën e vërtetë të jetës, do të flasim më gjërë në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.