(17.06.2006 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën XI të kohës së zakonshme
gjatë vitit kishtar. Kujtoi edhe shenjtorët Vlashi e Diogjeni, martirë. Nesër,
e hënë, do të kremtohet festa e Shën Markut e Marçelianit, martirë romakë dhe
e Shën Marinës. Na kujtojnë se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot
dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin
e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton. Liturgjia
e së martes na kujton se Krishti u bë i varfër, për të na pasuruar, sepse dëshiron
që edhe ne të bëhemi të përkryer, si Zoti. Është festa e Shën Romualdit, abat, themelues
i Kamaldolezëve, e Shën Gjylianës Konfalonieri dhe e Shenjtorëve Gjervasi e Protasi,
martirë milanezë. Shën Silveri papë e martir, që do të kremtohet nga Kisha katolike
të mërkurën, na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë
pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen
për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka. Shën Luigj Gonzaga,
jezuit, pajtor i rinisë katolike, që do të kremtohet të enjten, na bind, me
jetën e tij, se feja nuk mund të ndahet nga dialogu i përhershëm me Zotin. Por dialogu,
më shumë se me fjalë, bëhet me dëshmi, me mënyrën si e jetojmë Ungjillin, duke mos
kursyer asgjë për Krishtin e për të afërmin. Shën Paolini, ipeshkëv i Nolës; Shën
Gjon Fisher, ipeshkëv i Roçesterit e Shën Tomas More, martirë anglezë; Shën Flav Klementi,
konsull romak, martir dhe i Lumi Inoçenci V, papë, që Kisha do t’i festojë të premten,
na kujtojnë mësimin e Jezusit mbi thesarin e vërtetë, për të cilin mund të krenohemi,
e për dritën e vërtetë, për të cilën ia vlen të shkrish gjithë jetën, me bindjen se
Zoti është pranë nesh në orën e provës. Të shtunën do të kremtohen Shën
Jozef Kafasi, meshtar torinez dhe Shën Zakaria e Shën Elizabeta, prindërit e Shën
Gjon Pagëzuesit – i cili do të kremtohet të dielën. Liturgjia e festës na kujton se
pasuria jonë e vetme është dashuria e Zotit. Ne, që punojmë çdo ditë për vete e për
familjet, Jezusi na kujton se duhet të kemi besim në Hyjin, i cili i njeh nevojat
tona e është gjithnjë gati të na i plotësojë në kohën e duhur.