2007-06-16 16:20:42

Frati i vogel i Shqypenís.


(17.06.2007 RV)RealAudioMP3 Në atmosferën festive françeskane të shtegtimit të Benediktit XVI në Azisi e duke kujtuar se bijtë e Shën Françeskut luajtën gjithnjë rol të dorës së parë në historinë e Shqipërisë, në vend të rubrikës muzikore, të cilën do ta transmetojmë të dielën e ardhshme, ju ftojmë të ndiqni, recituar nga dom David Gjugja, një poezi të shkruar nga Filip Shiroka, shkëputur nga përmbledhja e tij e vetme poetike “Zani i Zemrës” (Tiranë, 1933).I këndon sivëllezërve të Shën Françeskut në përgjithësi e, në veçanti, françeskanëve shqiptarë të cilët, me konopin trinyjsh, simbol i dëgjesës, pastrisë e varfërisë, lidhen në shekuj fatet e tyre me fatet e Atdheut, aq sa t’i dhuronin edhe gjakun, si Atë Engjëll Paliq, që kujtohet si shembull për fratin e vogël shqiptar. Shihen qartë, në këtë krijim të ndjerë poetik, gjurmët e lumnueshme të françeskanizmit në Shqipëri:
 
Frati i vogel i Shqypenís
Veshë me zhgûn, me litar njeshun,
U thaçë prindve lamtumirë:
Sot prej gzimesh të botës i zdeshun,
Te Françesku gjeta hìr;
Dhe po shkoj në Shkollë të vorfenìs
Me u bâm Frati i Shqypenìs

Edhe atje, si të kemi msue,
Dhe kur të bâhemi Meshtar,
Do të dal shqyp me predikue
Gjithkahë janë vllazen Shqyptarë,
me u msue ligjen e dashtnìs,
Se jam Frati Shqypenìs.

Kam me u thânun: Vllazen jeni,
(Dhe pse të liqt 1) na paten da);
Hapni historen… me pa keni
Çë fe shqyptari pasun ka:
Vllazen; libri i Historìs
Flet si Frati i Shqypenìs.

Kam me i msue se sa ka hjekun
Ai qi boten ka krijue;
Se per ne Ai në Kryq ka dekun
Pse ka dashtë me na shelbue:
Do t'u prîjë n'udhë të shêjtnìs,
Frati i vobtë i Shqypenìs.

Pasanikut kam me i thânun
Epi bukë atij qi s'ka;
Zoti të mirat na i ka dhânun,
Si për tye, si për tand vlla:
Flet prej gojet të Perendìs
Frati i vobtë i Shqypenìs.

E me të mjerët, qi rrijën tuj kjá
Perbrî të keqit qi bân pallë,
Njatë kashatë bukë kam me e damun
Qi bâmirsit ma kanë falë:
Të mjerët janë birt e Perendìs
Vllazen të Fratit të Shqypnìs.

Kam me u lutë, kam me njinue
Kam me lypë hìr per ketê dhé;
Si Paliqi me dekë due
Edhe un per shejten Fé,
Dhe Françesku prej LumnísBekon Fratin e Shqypnìs.







All the contents on this site are copyrighted ©.