2007-06-16 16:08:18

Benedikti XVI priti në audiencë primatin ortodoks të Qipros, Krizostomos II. U nënshkrua Deklarata për bashkimin e të krishterëve dhe thirrja për paqe në Tokën Shenjte.


(16.06.2007 RV)Na pret një vepër madhore, që i kapërcen forcat njerëzore: arritja e bashkimit të plotë, aq të dëshiruar nga Krishti’: kështu u shpreh Benedikti XVI sot paradite, duke pritur, plot gëzim e mirënjohje, në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, kryeipeshkopin e Justinianës së Re e të Qipros, Krizostomos II, Bari i një Kishe të lashtë e të ndritur të Lindjes – siç u shpreh Papa. Ndërsa vizitën e Fortlumturisë së Tij, Ati i Shenjtë e quajti ‘dhuratë e Zotit të durimit e të ngushëllimit’:
“Dhuratë durimi sepse, pavarësisht nga përçarjet shekullore, udhët e ndryshme e vështirësitë në mbylljen e plagëve të dhimbshme, Zoti nuk pushoi s’i udhëhequri hapat tonë në rrugën e unitetit e të pajtimit. E ky është ngushëllim i madh për ne të gjithë, sepse takimi i sotëm është pjesë e një udhe në të cilën bëhet gjithnjë më këmbëngulës kërkimi i bashkimit aq të dëshiruar nga Krishti: ‘ut omnes unum sint’ – ‘që të gjithë të jenë një”.
Pasi kujtoi zanafillën e Kishës së Qipros, të pasur me shenjtorë si Epifani e Barnaba, Ati i Shenjtë vuri theksin mbi sfidat e problemet e përbashkëta aktuale të të dyja Kishave:
“Si atëherë, ashtu edhe sot, duhet të jemi shumë vigjilentë, për ta ruajtur popullin e Zotit nga profetët e rremë, nga gabimet e nga cektësia e propozimeve, që nuk përkojnë me mësimin e Mjeshtrit Hyjnor, Shëlbuesit tonë të vetëm”- tha Papa.
Kryepeshkopi Krizostomos II, duke i bërë jehonë shqetësimeve të Benediktit XVI, vuri në dukje se Evropa, djep i qytetërimit perëndimor dhe seli e lumnueshme e shpirtit të krishterë, po kalon një periudhë krize e çorientimi, ateizmi e dyshimi, shekullarizimi e dekadence. Si shoqëria, ashtu edhe njeriu i kohëve tona ka etje për të vërtetën, kërkon të gjejë kuptimin e jetës – theksoi Kryepeshkopi qipriot, dhe në vijim i ftoi Kishat e Evropës t’i përgjigjen të bashkuara kësaj kërkese të shumë burrave e grave të kohës sonë.
Si kujtoi se kjo vizitë në Vatikan bëhet realitet në prag të 35-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Qipros, Krizostomi II i kërkoi Papës të lutet për kthimin e paqes e të bashkimit në Ishull ku - denoncoi kryepeshkopi - të drejtat e njeriut shkelen e Kisha vuan, por edhe reziston me dinjitet të plotë.
Në përfundim të vizitës, në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, u nënshkrua Deklarata dypalëshe, në të cilën theksohen impenjimet dhe shpresat për bashkimin e plotë të të krishterëve, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të kohës. Në Dokument kujtohen disa nga problemet aktuale më urgjente, si mbrojtja e të drejtave të njeriut, duke nisur nga liria fetare; u bëhet thirrje t’i ulin armët të gjithë atyre që ngrenë dorë kundër vëllaut; kërkohet që të sigurohet paqja në Lindjen e Mesme e që Evropa të mos kufizohet në një bashkëpunim thjeshtë ekonomik, por të ngrihet mbi baza të shëndosha kulturore dhe etike e të mos e harrojë kurrë përmasën fetare. Kujtohen, pastaj, sfida e bioetikës, e mbrojtjes së ambientit, e varfërisë, e urisë dhe e sëmundjeve. Deklarata përfundon duke iu lutur Zotit të historisë që kumtimi ungjillor i shëlbimit të arrijë tek brezi i ri e të jetë dritë për të gjithë njerëzit. Para se të largohej nga Vatikani, Kryepeshkopi Krizostomos II u lut së bashku me Benediktin XVI në kapelën Nëna e Shëlbuesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.