2007-06-15 17:42:03

Sot, Solemniteti i Zemrës së Krishtit.


(15.06.2007 RV)RealAudioMP3 Jemi në muajin qershor që, sipas traditës, i kushtohet Zemrës së Krishtit. E pikërisht sot kremtohet solemniteti kushtuar Zemrës Shenjte të Zotit, nga e cila vijon të burojë një ftesë që u drejtohet të gjithë njerëzve: ftesa për ta njohur më shumë dashurinë e Zotit, i cili na desh deri në fund të fundit. Për këtë flet, në mikrofonin tonë, kardinali Frensis Arinze, prefekt i Kongregatës për kultin hyjnor e disiplinën e sakramenteve:“Solemniteti i Zemrës së Krishtit është festa e dashurisë së Zotit, që dëftohet në Jezusin, siç shkruan Shën Gjoni Ungjilltar në kapitullin e tretë të Ungjillit. Zoti e deshi aq shumë botën, sa të dhuronte Birin e tij të vetëm, kështu që kush beson në Të, të mos dënohet, por të ketë jetën e pasosur. Zemra e Krishtit është përmbledhja e gjithë dëftimit të Zotit; e Jezu Krishti, biri i mishëruar i Zotit, është vetë shprehja e dashurisë së Zotit për mbarë njerëzimin. Jezusi na do, duke na e dëftuar këtë posaçërisht me mishërimin e tij, me jetën e tij, me mësimin e tij, me mrekullitë, por sidomos, me misterin e Pashkëve, dmth me mundimet, vdekjen e ngjalljen e tij, që është në qendër të asaj që ne kremtojmë në Meshë. Jezusi na dhuron korpin e vet, nuk i mjafton ta ftojë Kishën të bashkohet me të, për të dhuruar vetveten në Meshë. Krishti na ushqen të gjithëve me korpin e vet, na jep të pijmë gjakun e vet, e megjithatë mbetet një e i pandarë. Ai na dhurohet, e lë veten në duart tona, ndonëse e di se mund të bjerë në duar njerëzish që nuk e njohin, njerëzish që bëjnë sakrilegj kur e marrin, duke qenë me mëkate mortare në zemër, njerëzish që duket sikur e pranojnë, por që në të vërtetë e njohin pak e e marrin kungimin në dorë si të ishte ndonjë copë biskoti ose buke. Kjo është shumë e rëndë. Krishti na do, e jo vetëm me Eukaristinë, por edhe me Kishën, me dhuratën e Kishës, sepse Eukaristinë e gjejmë në Kishë: pra, pa Kishë nuk ka Eukaristi e pa Eukaristi nuk ka Kishë; e Jezusi na dhuron edhe Nënën e tij. Atëherë themi se dhuratat e Zemrës së Krishtit janë tri: dhurimi i vetvetes në Eukaristi, Kisha e Nëna e Tij, Zoja e Bekuar. E ç’mund të na dhuronte më shumë?".







All the contents on this site are copyrighted ©.