2007-06-15 17:41:08

Rreziqet e globalizimit në fushën e kulturës: për to foli Benedikti XVI në audiencën me dikasterin papnor përkatës.


(15.06.2007 RV)“Historia e Kishës është e pandarë nga historia e kulturës dhe e artit”- me këto fjalë Benedikti XVI vuri në dukje rolin e rëndësishëm që ka luajtur Këshilli Papnor i Kulturës gjatë 25-vjetëve të veprimtarisë së tij, duke pritur sot paradite pjesëmarrësit në Takimin e studimit, kushtuar pikërisht 25- vjetorit të themelimit të dikasterit.
Papa i shprehu mirënjohjen kardinalit Pupar, prej 19 vjetësh në udhëheqje të Këshillit Papnor, themeluar nga Gjon Pali II më 20 maj 1982, me qëllim që të dialogonte me të gjithë popujt, pa dallim feje e kulture, në një botë që bëhet gjithnjë e më e ndërvarur, falë edhe zhvillimit të mjeteve të komunikimit si dhe dendësimit të marrëdhënieve shoqërore.
Prandaj është bërë edhe më urgjent promovimi i kulturës për Kishën, e cila synon në cilësinë shpirtërore të mesazheve e në përmbajtjen e tyre. Kisha e ka parasysh se kultura e sotme e ndjen thellë ndikimin e globalizimit e, në se ky ndikim nuk shoqërohet nga një qëndrim vigjilent, mund të drejtohet kundër njeriut e ta varfërojë, më shumë sesa ta pasurojnë. E pastaj – tha Papa - duhet t’i kemi mirë parasysh sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohet ungjillëzimi në këtë fushë.
Benedikti XVI nënvizoi edhe se historia e Kishës është histori e kulturës dhe e artit, gjë që e dëshmojnë qartë disa nga kryeveprat e krijuara prej saj, si Somma Teologica e Shën Tomës së Akuinit, Komedia Hyjnore e Dantes, Katedralja e Shartres, Kapela Sikstine, Kantatat e Bahut e sa e sa pasuri të tjera të pallogaritshme të njerëzimit.
Por në se këto janë majat e kësaj sinteze – vijoi Shenjtëria e Tij - duhet pasur parasysh se feja e kultura takohen ditë për ditë në jetën e në punën e të pagëzuarve, në atë kryevepër të fshehur arti, që është historia e dashurisë së secilit për Zotin e gjallë e për vëllezërit, e cila shprehet në gëzimin e në lodhjen për ta ndjekur përditë Jezusin. Sot, më shumë se kurrë – përfundoi Papa – reciprociteti i marrëdhënieve ndërmjet kulturave, është terren i përshtatshëm për dialogun ndërmjet njerëzve të impenjuar në kërkim të humanizmit të ri, duke i kapërcyer të gjitha divergjencat që i ndajnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.